Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 shtator 2025, ka urdhëruar ndalimin përfundimtar të pronës rreth 3 hektarëshe në Veternik, ku Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi dyshohen se kanë kryer veprën penale “Legalizim të përmbajtjes se rreme” dhe “mashtrimit”, përcjell KFVA.
Ky vendim vjen pasi Apeli e ktheu për herë të pestë çështjen e sekuestrimit të pronës milionëshe, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 maj 2024 kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar.
Prona rreth 3 hektarëshe, për të cilën “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 13 shtator 2021 i është marrë Nexhat dhe Gursel Sadikut përmes mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuara. Për këtë po hetohen Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi.
“Betimi për Drejtësi”, më 26 tetor 2024, publikoi hulumtimin “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”. Ndërsa, paraprakisht, më 6 prill 2024, kishte publikuar hulumtimin “Beteja” për pronën milionëshe në Veternik”, ku tregohej se si çështja e sekuestrimit të pronës kishte shkuar sa në shkallë të parë, sa në shkallë të dytë dhe nuk është marrë një vendim përfundimtar, gjersa dëmi po rritej.
Gjykatës Themelore në Prishtinë, me vendimin e 11 shtatorit ka ndaluar shitjen, blerjen, qiranë dhe çdo formë tjetër ku shtrihet pjesa e ngastrës më numër 10433-0. Gjithashtu, është urdhëruar Komuna e Prishtinës që të mos bëjë bartje/regjistrim apo tjetërsime që kanë të bëjnë me këtë ngastër.
Të pandehurit Ylber Hyseni, Kompanisë Lirimi &ACL dhe gjithë bashkëpronareve tjerë në këtë pronë iu është ndaluar shitja apo transferimi i pronës për shkak se dyshohet se është fituar me vepër penale.
Këtë urdhër do ta ekzekutojë Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar në afat prej 15 ditësh. Ndërsa, Policia e Kosovës obligohet që ta zbatoj këtë urdhër ndalues, duke u kujdesuar për pasurinë e Sekuestruar. Në anën tjetër, edhe Agjencia Kadastrale e Kosovës është obliguar ta zbatoj këtë urdhër ndalues përfundimtar.
Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se pas pranimit të aktvendimit të kolegjit të Gjykatës se Apelit, duke marrë parasysh sugjerimet dhe vërejtjet, ka analizuar të gjitha shkresat e lëndës dhe konsideron se prokuroria me prova të artiukuleshme vërteton standardin e dyshimit të bazuar se i pandehuri Ylber Hyseni ka kryer veprat penale “legalizimi i përmbajtjes se rreme”, dhe “mashtrimi”. Sipas Gjykatës, nga raporti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, sipas mendimit përfundimtar të eksperteve konstatohet se gjurma e vulës EX1 nuk përputhet me gjurmët e vulave EX2, dhe nuk janë shtypur nga makina e njëjtë e shkrimit.