Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sugjeroi mbrëmë se dronët rusë që shkelën hapësirën ajrore polake mund ta kenë bërë këtë aksidentalisht, duke e quajtur incidentin një “gabim”. Komenti u dënua ashpër nga Polonia dhe aleatët e saj evropianë, të cilët e quajtën atë një interpretim të rrezikshëm dhe të gabuar të situatës.
“Mund të ketë qenë një gabim”, u tha Trump gazetarëve, duke shtuar se “nuk ishte i kënaqur me asgjë në lidhje me të gjithë situatën, por shpreson se do të marrë fund”. Fjalët e tij ishin në kontrast të fortë me reagimet e udhëheqësve evropianë, të cilët e quajtën incidentin një “provokim të qëllimshëm” dhe një “përshkallëzim të ri dhe serioz” të konfliktit.
Të paktën 19 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake pardje gjatë sulmit ndaj Ukrainës, duke bërë që avionët e NATO-s të rrëzonin katër prej tyre, konfirmoi kryeministri polak Donald Tusk.
Ministri i Jashtëm polak Radosław Sikorski e mohoi drejtpërdrejt vlerësimin e Trump. “Jo, nuk ishte një gabim”, tha ai shkurtimisht në mediat sociale.
Zyrtarët polakë dhe të tjerë evropianë kanë theksuar seriozitetin e incidentit, duke deklaruar se dronët fluturuan deri në 480 kilometrathellë në territorin polak.
Në shenjë solidariteti, disa vende evropiane, përfshirë Republikën Çeke dhe Holandën, kanë thirrur ambasadorët rusë për bisedime në ministritë e tyre të jashtme.
Përveç lëvizjes diplomatike, Republika Çeke ka vendosur gjithashtu të dërgojë ndihmë ushtarake në Poloni. Ministria e Mbrojtjes në Pragë konfirmoi të enjten se do të dërgojë një njësi helikopterësh për operacione speciale kundër dronëve, me kërkesë të drejtpërdrejtë të homologut të saj polak.
Franca ka ndërmarrë gjithashtu hapa konkretë ushtarakë. Presidenti Emmanuel Macron njoftoi se po dërgonte tre avionë luftarakë Rafale për të “ndihmuar në mbrojtjen e hapësirës ajrore polake dhe krahut lindor të NATO-s së bashku me aleatët tanë”.
Koloneli në pension i Ushtrisë Amerikane, Richard Williams, një veteran me përvojë në udhëheqjen e NATO-s, i tha gazetës Kyiv Post se sulmi me dron ishte “i qëllimshëm” dhe një provë e vullnetit politik të aleancës.
“Është një gjë të kesh aftësinë për t’u hakmarrë – është një gjë tjetër të kesh vullnetin politik për ta bërë këtë”, tha Williams. Ai paralajmëroi se “dobësia potenciale fatale” e NATO-s është se ajo është “aq e dobët sa lidhja e saj më e dobët, dhe veçanërisht aq e pavendosur sa kombi i saj më i aftë udhëheqës”, duke aluduar në “mosgatishmërinë e SHBA-së dhe Trump për të sulmuar Rusinë” ose “për të rrezikuar luftë me Moskën”