• Mon. Oct 13th, 2025

Lokacioni që dyshohet për varrezë masive, Andin Hoti: U shfrytëzua si deponi mbeturinash nga Serbia

Bykfvanews

Sep 10, 2025

 

 

Andin Hoti, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka dhënë detaje për varrezën masive që dyshohet se gjendet në Kozhlje.

Hoti ka thënë se kjo zonë ishte përdorur si deponi mbeturinash.

Për shkak të interesimit të madh të mediave, më lejoni t’ju njoftoj si në vijim:

Lokacioni Kozhlje është një ndër lokacionet që në takimet e Grupit Punues i kemi diskutuar disa herë, krahas Batajnicës, Kozharevës dhe lokacioneve tjera për të cilat kemi kërkuar vazhdimisht që të fillojnë hulumtimet/vlerësimet dhe pastaj punimet.

Ky lokacion ka nisur të vlerësohet që nga viti i kaluar, por më pas është shtyrë nga pala serbe. Vetëm pas presionit të vazhdueshëm, edhe ndërkombëtar, Serbia ka filluar procesin e vlerësimit. Duhet theksuar se kjo po ndodh pas një zjarri që për gati dy muaj ka kapluar atë zonë.

Nga Kosova sot është deleguar një ekip i përbërë nga z. Kushtrim Gara, z. Ditor Haliti dhe z. Valon Hyseni. Aktualisht në terren janë të pranishëm edhe ICRC dhe EULEX, krahas palës serbe. Sot po kryhet vlerësimi dhe më pas do të shihet mundësia për fillimin e punimeve.

Fatkeqësisht, ky lokacion është përdorur si deponi mbeturinash që nga viti 1999. Për të arritur deri te zona e dyshuar, kërkohet largimi i tyre në një thellësi mbi 15 metra. Ajo që ka rëndësi të veçantë është që të mos lejohet Serbia ta kthejë Kozhljen në një proces të pafund, siç ndodhi me Kizhevakun dhe Rudnicën, duke zvarritur punimet me vite të tëra dhe duke mos dhënë koordinata të sakta.

Në të njejtën kohë, ne i bëjmë thirrje Serbisë që të fillojnë punimet edhe ne lokacionet tjera për të cilat ka zotime, siç është Batajnica dhe 16 lokacionet tjera të përmendura në raportin e tyre.

Për çdo zhvillim të mëtejmë, do të ju informojmë me kohë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *