Donald Trump ka thënë se është gati të kalojë në një fazë të dytë të sanksionimit të Rusisë, vetëm disa orë pasi Moska nisi atë që po vlerësohet si sulmi më i madh ushtarak i luftës deri më tani.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, të paktën katër persona janë vrarë, përfshirë një nënë dhe një foshnjë tre-muajshe, me më shumë se 40 të tjerë të plagosur, pasi Rusia nisi një bombardim me dronë gjatë natës.
Dhe ndërsa po shkonte drejt finales së turneut të tenisit US Open, presidenti u pyet nëse ishte gati të kalonte në fazën e dytë të ndëshkimit për Moskën, të cilës ai iu përgjigj: “Po”.
Kjo i bën jehonë deklaratë së Sekretarit të Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, i cili tha se presioni shtesë ekonomik nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa mund ta shtyjë Putinin të hyjë në bisedime paqeje me Ukrainën.
“Ne jemi të përgatitur të rrisim presionin mbi Rusinë, por kemi nevojë që partnerët tanë evropianë të na ndjekin”, tha Sekretari i Thesarit për emisionin “Meet the Press” të NBC News.
Rusia sulmoi Kievin me 805 dronë, thanë zyrtarët, dhe Ukraina rrëzoi dhe neutralizoi 747 dronë dhe katër raketa, tha forca ajrore e vendit.
Sulmi shkaktoi një zjarr në një ndërtesë kyçe qeveritare, me qiellin mbi Kiev të mbuluar nga tymi.
Kryeministri polak Donald Tusk tha se sulmi i fundit ushtarak tregoi se çdo “përpjekje për të qetësuar” Putinin nuk ka kuptim.
“SHBA-të dhe Evropa duhet së bashku ta detyrojnë Rusinë të pranojë një armëpushim të menjëhershëm. Ne kemi të gjitha instrumentet”, tha zoti Tusk të shtunën.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se Kremlini po “tallte diplomacinë”. /
