• Sun. Oct 12th, 2025

Drejtori i Radio Kosovës akuzon BIRN’in e Jeta Xharrës për manipulime financiare, kërkon hetim nga Prokuroria

Bykfvanews

Sep 6, 2025

 

 

Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, ka reaguar ashpër ndaj organizatës BIRN Kosova dhe drejtoreshës së saj, Jeta Xharra, duke i akuzuar për manipulime në raportimin financiar të kontratave me Radio Televizionin e Kosovës. Në një postim në Facebook, Halili ka prezantuar shifra e dokumente që sipas tij dëshmojnë për shmangie tatimore dhe evazion fiskal.

Halili thekson se marrëveshjet mes RTK’së dhe BIRN’it nuk kanë qenë grante apo donacione, por kontrata tregtare për prodhimin e emisioneve televizive. Megjithatë, sipas tij, në raportet e auditimit të BIRN’it këto janë paraqitur si grante, gjë që ai e quan mashtrim financiar.

“Është njësoj si t’i thuash qirasë që ia paguan pronarit: dhuratë vullnetare,” ka ironizuar ai.

Sipas të dhënave që ka publikuar Halili, BIRN ka deklaruar rreth 357 mijë euro të ardhura nga RTK në periudhën 2021–2024, por RTK në realitet ka paguar vetëm 25 mijë euro përmes përmbaruesit, për një borxh të mëhershëm.

Sipas Halilit, BIRN nuk ka deklaruar të hyrat në vitin kur janë realizuar aktivitetet, duke shkelur Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit (SNK-SNFR). Ai shton se raportet e tyre ngatërrojnë standardet e auditimit me ato të kontabilitetit, duke fshehur gjurmët e transaksioneve reale.

Këto mospërputhje, sipas drejtorit të Radio Kosovës, ngrejnë dyshime të bazuara për shmangie tatimore. Ai ka kërkuar nga Prokuroria dhe organet hetimore që të nisin procedurat për të verifikuar ligjshmërinë e këtyre veprimeve financiare.

Halili njëkohësisht ka sfiduar publikisht Jeta Xharrën për debat, duke thënë se është i gatshëm të ballafaqohet me letra e fakte lidhur me kontratat dhe marrëdhëniet financiare të BIRN’it me RTK.

“Unë po shkruaj këtu me dokumente në dorë. Ata, në vend që të japin llogari për shkeljet, po përdorin median për sulme personale e shpifje, vetëm për të shpërqendruar publikun,” ka deklaruar ai.

Në fund, ai ka publikuar linkun e raporteve të auditimit të BIRN’it dhe kontratat me RTK.

Ndërkohe, në portalin kallxo.com që menaxhohet nga Jeta Xharra. ditë më parë është publikuar një reagim ndaj deklaratave të Halilit. Pohimet e Halilit i kanë cilësuar si shpifje dhe kanëmbrojtur procedurat e ndjekura për kontratën mes BIRN’it dhe RTK’së.

Sipas Kallxo.com kontrata për emisionet “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” është realizuar pas një thirrjeje publike të RTK-së, duke respektuar procedurat e duhura ligjore dhe të prokurimit.

Në reagimin e tyre, theksohet se të gjitha mjetet janë shpenzuar për qëllime profesionale dhe operative. Për të gjitha këto, BIRN’i ka paralajmëruar edhe hapa ligjorë kundër drejorit të RTK’së, Arsim Halili.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *