• Sat. Oct 11th, 2025

Qysh vartësit e Vetëvendosjes me vetëdije po e shkelin Kushtetutën?

Bykfvanews

Sep 3, 2025

 

 

Ndonëse me Kushtetutë e Rregullore të Kuvendit përcaktohet çështja e nënkryetarëve, kryetari i ri i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Dimal Basha me vetëdije po tenton t’i shkel ato, raporton KFVA.

Prej VV’së nuk po duan t’i lënë vend një nënkryetari nga radhët e pakicave serbe.

“Për mua nuk ka logjikë që të bllokohet Kuvendi i Republikës për moszgjedhjen e një nënkryetari”, përsëriti Basha të hënën.

Njëjtë si Basha, thotë edhe nënkryetarja e Kuvendit nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Ajo të hënën ka deklaruar se situata pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit nuk është ideale, por Kuvendi ka legjitimitet dhe kapacitet për të ushtruar mandatin e tij, pavarësisht mosmarrëveshjeve për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e pakicës serbe.

“Situata nuk është ideale. Ne jemi të vetëdijshëm që nuk është ideal. Ideale do të ishte mes Kuvendit të arrinte që të zgjidhej nënkryetari Nenda Rashi si nënkryetar të Kuvendit dhe po të merrte pjesë opozita e disa po të merrnin pjesë e disa po të votonin për unë mendoj që Rashiq do të ishte zgjedhur si anëtar i Kryesisë së Kuvendit. Por kjo nuk ndodhi, nuk i gjetëm 6 deputet sa nevojiteshin,” tha Haxhiu.

Ajo shtoi se pavarësisht këtyre rrethanave, Kuvendi duhet të vazhdojë punën e tij dhe nuk duhet të bllokohet nga një parti.

Se ky konstatim i tyre bie poshtë e thotë edhe hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Melos Kolshi.

Ai në një prononcim për Periskopin tha se nuk ka Kuvend të konstituar pas pasur pesë nënkryetar, përfshi edhe ata të komuniteteve.

“Në bazë të Kushtetutës, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit, seanca konstituive e Kuvendit përfundon vetëm pasi të jenë zgjedhur Kryetari dhe të gjithë nënkryetarët e Kuvendit. Po ashtu, Rregullorja e Kuvendit përcakton qartë se Kryesia përbëhet nga Kryetari dhe pesë nënkryetarë, duke përfshirë përfaqësuesin e komunitetit serb dhe atë të komuniteteve tjera jo-shumicë”, ka deklaruar Kolshi të hënën.

Ish opozita për “mbylljen” e seancës

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, para disa dite, ka thënë se Basha ka konstatuar gabimisht se seanca është konstituar, meqë Kushtetuta e thotë qartë që një gjë e tillë konsiderohet vetëm pasi të jenë zgjedhur të gjithë nënkryetarët.

Ndërsa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeparlamentari nuk mund të vendosë për përfundimin e seancës konstituve, pasi ajo parashihet me Kushtetutë dhe rregullore.

Ai ka thënë se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e kryesisë.

“Tallja me Kuvendin dhe qytetarët nga VV po vazhdon. Përkundër që ne e mundësuam një proces që do zhbllokonte krizën politike, na nxirrte si institucione nga situata, VV nuk e ka këtë qëllim por që ta thellojë krizën. Nuk varet nga vullneti dhe interpretimi i kryetarit të Kuvendit se a përfundon  a jo seanca konstituive, por kjo është e qartë sipas Kushtetutës dhe Rregullores së punës”, ka thënë ai pas mbylljes së seancës konstituive.

Edhe deputeti serb në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq është deklaruar duke vënë në dyshim legjitimitetin e shpalljes së Kuvendit si të konstituuar.

Sipas tij, pa një nënkryetar nga komuniteti serb, Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar.

“Unë e konsideroj që nuk është konstituuar plotësisht, sepse normal që i mungon një nënkryetar, dhe unë kam pas shpresë që do të përfundojë procesi, por fatkeqësisht ajo nuk ka ndodh, por megjithatë pa një nënkryetar nga komuniteti serb, konsideroj që kjo nuk është konsituim”, tha ai

Ndryshe, dy deputetë të Listës Serbe, Miljana Nikolliq dhe Igor Simiq nuk morën asnjë votë në tri runde votimi secili, pasi u hodhën në votim përmes shortit nga kryetari Basha. As deputeti tjetër nga ky komunitet, Nenad Rashiq, nuk arriti të zgjidhej, pasi i mori 56 vota për, pesë më pak se të paktën 61 votat e nevojshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *