Disa minuta para se të fillonte seanca e së shtunës, Lista Serbe njoftoi se ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb. Tri ditë pas dorëzimit të kërkesës, nga Kushtetuesja janë deklaruar nëse kjo parti iu referua drejt institucioneve të Kosovës.
Njoftimi i Listës Serbe që ka dërguar çështjen e moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb në Kushtetuese, nxiti shumë reagime. Në njoftimin për dorëzimin e kërkesës në Kushtetetuese, nga kjo parti iu referuan Kuvendit të Kosovës, si ‘Kuvend i Prishtinës’.
“Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë dorëzuar sot ankesë në Gjykatën Kushtetuese për shkak të shkeljes së rëndë të të drejtave të popullit serb në seancat e kuvendit në Prishtinë. Parimet kushtetuese dhe demokratike janë shkelur rëndë, dhe popullit serb i është pamundësuar realizimi i të drejtave të tij të garantuara. Presim që Gjykata Kushtetuese të reagojë menjëherë dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e sundimit të ligjit, si dhe të drejtave të popullit serb në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Lista Serbe mbetet e qëndrueshme në luftën e saj për ruajtjen e të drejtave dhe interesave të popullit serb dhe do të vazhdojë të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe institucionale për të siguruar barazi të plotë”, u tha në njoftim.
Kjo u theksua edhe nga nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në deklarimin pas seancës.
“Siç e patë pak më herët, ata edhe Kuvendit të Republikës së Kosovës i referohen si “Kuvendi i Prishtinës”, pra një fyerje e hapur ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe Kushtetutës së Kosovës…Ne nuk guxojmë të mbesim peng i atyre që e mohojnë ekzistencën tonë si shtet, pra është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të ecim përpara me Kryesinë e Kuvendit”, deklaroi Haxhiu.
Dyshimet u ngritën se edhe në kërkesën dërguar në Gjykatën Kushtetuese, të jetë përdorur ky term.
Por, tek sot Gjykata Kushtetuese, ka sqaruar se në kërkesën që u dorëzua në formë elektronike, nuk kanë përmendur një term të tillë.
“Kërkesa e përfaqësuesve të Listës Serbe është parashtruar në Gjykatë, më 30 gusht 2025. Kërkesa aktualisht është duke u proceduar. Konfirmoj që, në kërkesën e parashtruar nuk e kanë shfrytëzuar termin “Kuvendi i Prishtinës”, kanë thënë nga Kushtetuesja për RTV Dukagjini.
Lista Serbe ka dërguar në Kushtetuese, ankesë kundër vendimit ndaras për nënkryetar të Kuvendit, nga komuniteti serb, gjatë seancës konstituive.
Asnjëri nga 9 deputetët e kësaj partie nuk arriti të marr votat e nevojshme por as Nenad Rashiq, i cili u votua dhe përkrahë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Pavarësisht dështimit për zgjedhjen e nënkryetarit serb, Kryeparlamentari Dimal Basha e ka përmbyllur seancën konstituive të shtunën, duke e konsideruar Kuvendin si të konstituuar.
Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur dje në takim Bashën, ku ai ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit. Ndërkohë, Osmani e ka informuar Bashën se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Presidentja ka potencuar se, sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka njoftuar Presidenca.