Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka uruar nisjen e vitit të ri shkollor, teksa ka kujtuar arsimin ndër vite e në kohë të vështira.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sot 1 shtatori është fillimi i një viti të mundimshëm shkollor, ku “nxënësit, probleme me tekstet shkollore e me kushtet e rënduara të mësimit, mësuesit me paga nën dinjitetin e tyre e prindërit me dilemën e madhe se çka përfitojnë fëmijët e tyre nga ky sistem arsimor”.
Haradinaj ka kritikuar qeverinë për gjithë këtë gjendje.
Postimi i tij i plotë:
Në etapa të ndryshme të historisë sonë, mësimdhënësit bartën mbi supe barrën e madhe kombëtare; ngritjen e brezave dhe sfidën per çlirimin e Kosovës. Ata sfiduan regjimin famëkeq të Millosheviqit pa asnjë kompensim, ndërsa sot në një situatë normale, 1 shtatori do duhej të ishte ditë feste për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, e sot nuk është gjë tjetër përpos një ditë e zakonshme që shënon veç fillimin e një viti të mundimshëm shkollor.Nxënësit, probleme me tekstet shkollore e me kushtet e rënduara të mësimit, mësuesit me paga nën dinjitetin e tyre e prindërit me dilemën e madhe se çka përfitojnë fëmijët e tyre nga ky sistem arsimor, madje edhe me pamundësinë për t’i siguruar librat me mjetet e dedikuara për subvencionim në shumë prej 80 euro.
Barra mbi këtë gjendje që gjendemi sot rëndon mbi njerëzit që jane në pushtet tash e sa vjet e nuk lanë gjë pa bërë, përpos trajtimit me respekt e paga të dinjitetshme për mësimdhënësit, ndërsa sindikatat e arsimit që angazhoheshin për paga e kushte më të mira, i shpallën armiqësore.Të vetëdijshëm se nuk e keni aspak të lehtë, ju uroj më të mirat juve mësues, nxënës e prindër, që të keni forcë e kurajë ta përballoni një vit aspak të lehtë shkollor.