• Sun. Oct 12th, 2025

Haradinaj takon ambasadorin britanik: Tejkalimi i bllokadës është nevojë urgjente, presim qartësi nga Gjykata Kushtetuese

Bykfvanews

Aug 5, 2025

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Gjatë takimit u zhvillua një diskutim përmbajtësor mbi zhvillimet aktuale politike në vend, ku Haradinaj e informoi Ambasadorin Hargreaves për angazhimin e Aleancës në këtë periudhë vendimtare për vendin.

Në takim u theksua nevoja urgjente për tejkalimin e bllokadës institucionale. Haradinaj ritheksoi se kjo bllokadë duhet të zhbllokohet pas datës 8 gusht, kur pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ai nënvizoi se funksionimi i plotë i institucioneve është thelbësor për stabilitetin demokratik dhe orientimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.

Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua edhe marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, ku Kryetari Haradinaj vlerësoi lart rolin e vazhdueshëm të Britanisë në mbështetjen për siguri dhe stabilitet në rajon.

Në përfundim, Kryetari i AAK-së ritheksoi përkushtimin e tij dhe të Aleancës për integrimin euroatlantik të Kosovës, duke kërkuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësimin e vendit në NATO.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *