Sot janë bërë 10 vjet prej kur Kuvendi i Kosovës më 3 gusht 2015 i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
Me 82 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e atëhershëm e ndryshuan amendamentin kushtetues, duke mundësuar dërgimin për votim edhe të dy projektligjeve të tjera që lidheshin me themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Kundër këtij votimi ishin partitë opozitare të kohës, të cilat e konsideruan Gjykatën Speciale të padrejtë, selektive dhe si cenim të sovranitetit të shtetit të Kosovës. Sipas tyre, kjo gjykatë u krijua për të gjykuar vetëm pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në anën tjetër, Qeveria dhe pozita e kohës e konsideruan këtë vendim të vështirë, por të domosdoshëm për ta ruajtur kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe për të adresuar pretendimet për krime të luftës.
Që nga themelimi, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuza ndaj disa prej figurave më të larta politike dhe ushtarake në vend.