• 1 Dhjetor 2025 01:50

Policia me operacion, arreston tre të dyshuar për keqpërdorim të kartelave bankare

Gus 1, 2025

 

 

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona, nën dyshimin për keqpërdorim të kartelave bankare, pas një operacioni që ka zhvilluar dje, shkruan KFVA.

Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, ku fillimisht janë arrestuar dy persona të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se në bashkëveprim kanë përdorur kartela të bardha bankare (bllanko), si dhe kanë shpërndarë video përmes rrjeteve të ndryshme sociale duke tërhequr para në bankomate të ndryshme, si dhe kanë përdorur disa faqe në rrjete sociale për të promovuar këto lloj kartelash.

Personi i tretë i dyshuar është arrestuar sot.

“Lidhur me rastin gjatë kontrollit janë gjetur pajisje kompjuterike si dëshmi në vendin e ngjarjes ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: Dy (2) kompjuterë; Një (1) llaptop; Dy (2) telefona mobil; Tri (3) USB dhe Një (1) HDD”, thuhet në njoftim.

Të dyshuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, dyshohet se kanë keqpërdorur kartela bankare të personave të ndryshëm, kësisoj me vendim të prokurorit, dy të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.

“ Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e veprimtarive kriminale dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar, dhe njëkohësisht fton qytetarët që të kenë kujdes të shtuar në mbrojtjen e të dhënave personale e bankare, dhe të mos bien pre e mashtrimve/vjedhjeve të mundshme”, përfundon njoftimi./KFVA./