Një numër i madh pasagjerësh u lënduan pasi një fluturim i Delta nga Salt Lake City u përplas me turbulenca të forta në mes të fluturimit, duke e detyruar aeroplanin të bënte një ulje të paplanifikuar në Minneapolis.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, fluturimi DL56 nga Salt Lake City për në Amsterdam ishte në ajër për gati 90 minuta kur u përball me turbulencat.
Një pasagjer në fluturim i tha FOX 13 News se aeroplani, një Airbus A330-900, bëri një rënie të papritur ndërsa asistentët ishin në “korridor” me karroca shërbimi, duke i hedhur ato në ajër.
Banori i Utah-s, Joseph Carbone, i cili ishte në rrugën e tij për në Kenia përmes Amsterdamit, tha se turbulenca goditi në tre valë.
“Dhe secila u përkeqësua”, tha ai.
Carbone tregoi se pasi fluturimi u ul, një pilot i tha se aeroplani ishte “zhytur” 300 metra, megjithëse zyrtarët e Delta nuk e konfirmuan këtë shifër.
Aeroplani përfundimisht devijoi rrugëtimin dhe u ul mirë në Minneapolis rreth orës 8 të mbrëmjes sipas orës CT, ku 25 persona në bord u transportuan në spitalet lokale për vlerësim.
Carbone besonte se disa nga lëndimet ishin serioze, megjithëse Delta nuk konfirmoi një gjë të tillë.
Bëhet e ditur se në bord kishte 275 pasagjerë dhe 13 anëtarë të ekuipazhit.