Policia e Kosovës ka realziaur një aksion ndërkombëtarë në Aeroportin e Prishtinë ku të përfshira kanë qenë edhe policia e Shqipërisë dhe strukturave kundër krimit në Mbretërinë e Bashkuar (National Crime Agency & Border Force), raporton KFVA
Nga ky aksion është arrestuar një person ku i janë gjetur 9845 funta apo 11 mijë e 385 euro.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, konkretisht Departamenti i Policisë Kufitare, në kuadër të bashkëpunimit të saj policor, ka qenë pjesë e operacionit policor të quajtur ‘Mareëood’, një iniciativë e përbashkët ndërkombëtare në mes të Policisë së Kosovës, Policisë së Shqipërisë dhe strukturave kundër krimit në Mbretërinë e Bashkuar (National Crime Agency & Border Force).
Ky operacion policor ka rezultuar me sukses, ku javën e kaluar zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në Aeroportin e Prishtinës, kanë ndaluar një person tek i cili gjatë kontrollit i janë gjetur 9845 funta të padeklaruara në kartëmonedha të letrës, të cilat dogana, pas kalkulimit të kursit, ka konfirmuar se janë diku rreth 11385 (njëmbëdhjetë mijë e treqind e tetëdhjetë e pesë) euro.
Bashkëpunime dhe operacione të tilla do të vazhdojnë edhe më tej, pasi që qëllimi i tyre është goditja e transportit të parave, veçanërisht atyre të destinuara për financimin e aktivitetit kriminal (pastrim parash), parandalimi i trafikimit të armëve dhe drogës nëpërmjet vendkalimeve kufitare, si dhe frenimi i migracionit të paligjshëm, në kufijtë tokësorë, ajrorë dhe detarë.