• Fri. Nov 21st, 2025

“Duhet pasoja juridike” – Presidentja “ultimatum” partive, deri në vikend institucionet ose në Kushtetuese

Jul 17, 2025

 

 

Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, raporton Gazeta KFVA.

Pavarësisht kësaj, partitë politike ende s’po duket që kanë ndonjë lëvizje në pah.

Sot Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet edhe në fundjavë.

Osmani theksoi se asaj nuk i takon të negociojë koalicione qeveritare dhe se diçka të tillë e ka të ndaluar me Kushtetutë.

“Ne jemi duke e përgatitur lëndën për Kushtetuese dhe nëse edhe gjatë fundjavës nuk ka marrëveshje që mund të rezultojë me institucione të konstituuara, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës, por nuk e dimë sa kohë do t’i duhet asaj për t’u përgjigjur”, ka thënë Osmani.

“Unë jam e bindur që sikur për çdo afat tjetër, afat detyrues, edhe për këtë afat të cilin Gjykata e ka shpallur të detyrueshëm dhe kushtetues, nëse nuk respektohet, duhet të ketë pasoja juridike. Nuk po flas për pasoja penale. Pasoja juridike nënkupton se çfarë ndodh me institucionet nëse ato nuk konstituohen deri më 26 korrik?”, ka pyetur Osmani.

Se mund të ketë lëvizje, e paralajmëroi sot deputetja e NISMA-s.

Xhevahire Izmaku, ka thënë sot se pret që kryetari i partisë, Fatmir Limaj, të takohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një marrëveshje të mundshme në fundjavë.

“Presim që në fundjavë të ketë një epilog pozitiv, pra shpresojmë se këto bisedime që kanë vazhduar me muaj të tërë, të prodhojnë rezultat dhe Kosova të ketë institucione”, ka thënë Izmaku.

Kujtojmë që Partia Demoratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës , Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit nga kryesuesi i seancës Avni Dehari është jokushtetuese./KFVA/