Gjykata Supreme e Kosovës ka thënë të martën se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese, duke nxitur kundërshtim të ashpër nga Qeveria në detyrë.
Supremja e shpalli të paligjshëm dhe e shfuqizoi një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, përcjell KFVA.
Ky i fundit s’e priti fare mirë kët vendim. Për Muratin është “absurde”.
“Monopoli i arkave fiskale me kosto enorme për bizneset tatimpaguese, i vendosur në kohën kur Bedri Hamza kishte qenë Ministër i Financave, parashihej të merrte fund me Udhëzimin e Ri Administrativ, i cili hapte rrugën për arkat fiskale digjitale, siç tashmë e kanë bërë edhe shumica e shteteve në rajon. Mirëpo sot Gjykata Supreme, me gjykatës Delushe Halimi, Lumni Sallauka, dhe Franciska Zhitija-Ymeri, paska vendosur që Udhëzimi Administrativ për arka fiskale digjitale të shfuqizohet. Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale. Si pasojë e këtij vendimi, bizneset do të vazhdojnë të kenë kosto vjetore prej mbi 5 milionë euro në vit”, ka shkruar në Facebook Murati.
Edhe Qeveria në detyrë nuk hezitoi të reagojë.
Përmes një njoftimi, thuhet se ndihet e “shqetësuar” dhe se e kundërshton aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke e cilësuar atë si “të pabazuar në ligj” dhe “arbitrar”.
“Neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk përmban asnjë ndalesë lidhur me nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë apo ministrat në detyrë. Ky nen kufizon veprimtarinë e qeverisë në detyrë vetëm në çështje madhore, si: marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim në Kuvend, amendamente kushtetuese, projektligje të reja, strategji dhe koncept-dokumente – por jo në nxjerrjen e akteve zbatuese, siç është Udhëzimi Administrativ në fjalë”, tha Qeveria në detyrë.
Nuk mjaftoi vetëm ky reagim.
Edhe Besnik Bislimi u “turr” duke akuzuar hapur gjyqësorin për një “luftë të hapur ndaj qeverisë” dhe e ka cilësuar vendimin e Supremes si “rast tipik dhe primitiv” të kësaj lufte.
“Edhe një rast sa tipik ashtu edhe primitiv i luftës së hapur që gjyqësori i ka shpallur qeverisë dhe zhvillimit të shtetit. Një luftë që me siguri të plotë do ta humb me shumë turp.” – shkroi ai
Pas tyre, kanë reaguar ashpër edhe Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, dhe deputetja Fitore Pacolli.
Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës bëri të ditur se këtë vendim do ta dërgojnë në Prokurori Speciale si dëshmi të kallëzimeve penale që kishin dorëzuar kohë më parë, kurse PDK-ja ka paralajmëruar konferencë për media për ditën e sotme.
“Gjykata Supreme ka konstatuar qartazi se ministrat e certifikuar si deputetë, në çdo nxerrje vendimi veprojnë në shkelje të rëndë ligjore, kanë uzurpuar dhe po ushtrojnë funksionet në mënyrën e paligjshme dhe arbitrare pas përfundimit të mandatit”, tha ajo./Periskopi/
