Deklarata e presidentës së vendit, Vjosa Osmani se ka informacione të besueshme që presidenti amerikan Donald Trump ka parandaluar mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë, ka ngritur reagime në kohën kur Kosova ende nuk ka institucionet e formuara. Ndërkohë që kjo situatë është konsideruar si alarm, i painformuar për zhvillimet ka mbetur kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në lidhje me këto zhvillime, ish-ambasadori Avni Arifi në një prononcim për Periskopin është treguar i ashpër me kryeminstrin në detyrë Albin Kurti dhe me presidenten Vjosa Osmani.
Sipas Arifit, Osmani e ka “gajlen” se si të zgjidhet përsëri Presiden, ndërsa Kurti i ka humbur kreditët e besueshmërisë te aleatët.
“Fatkeqësishtë as Presidentja as Kryeministri nuk janë as afër nivelit të detyrës që kanë. Përderisa Kosova po përballet me këtë krizë institucionale Presidentja veç në bisht të aeroplanit rrin me kalkulator në dorë me mendjen si të zgjidhet prap Presidente kurse Kryeministri e vërtetë se është i painformuar sepse aq shumë i ka harrxhit kreditët e besueshmërisë tek vendet aleate sa që askush nuk ndan ndonjë info me të. Kosova është veq në dorë të zotit”, tha Arifi.
Çka tha Kurti?
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka asnjë informacion për një situatë të tillë dhe as për ndërhyrjen e Trumpit në parandalimin e një sulmi të mundshëm nga Serbia. Ai tha se këto informacione mund të jenë të klasifikuara dhe të mbahen brenda administratës amerikane.
“Është vështirë tash të them sepse nuk i di planet që i kanë, nuk i kam as informacionet e tyre, me siguri që Shtëpia e Bardhë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përgjithësi kanë më shumë informacione se çfarë synimesh operacionale ka pasur Serbia dhe mund të kenë vepruar kundër tyre, faleminderit shumë”, tha Kurti në një intervistë për Tëvë1.
Ai shtoi më tej: “Ato informacione që i kanë ata se çfarë ka bërë si plan konkret operacional kundër Kosovës Serbia mbase ne nuk e dimë edhe është e pritshme që nuk mund ta dimë. Organet tona bashkëpunojmë me SHBA-të dhe mbase një ditë do t’i kemi edhe në ato informacione, por aktualisht ne nuk i posedojmë ato.”
