Një incident që ka shkaktuar shqetësim të madh në rajon ka ndodhur këtë javë, kur një dron ushtarak rus, i dyshuar si pjesë e armatimit të përdorur nga Rusia në luftën në Ukrainë, u rrëzua në territorin e Lituanisë – një vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Sipas Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare të Lituanisë, një mjet fluturues i ngjashëm me një dron të improvizuar (UAV) hyri në hapësirën ajrore lituaneze nga drejtimi i Bjellorusisë, një aleat i ngushtë i Rusisë dhe shpesh një platformë për operacionet e saj ushtarake. Droni u rrëzua në afërsi të kufirit lindor, dhe autoritetet po hetojnë rrethanat e sakta të ngjarjes.
Sipas burimeve të mediave lokale, përfshirë portalin Delfi, besohet se droni në fjalë është një “Gerbera”, një model rus i prodhuar me kosto të ulët, i cili ka qenë i pranishëm në fushatat ushtarake të Moskës në Ukrainë gjatë vitit të fundit.