Menjëherë pas ngjarjes, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) nisi hetimet dhe rekomandoi suspendimin e pesë zyrtarëve policorë të përfshirë në rast. Zyrtarët për të cilët është rekomanduar masa e suspendimit përfshijnë një rreshter dhe katër policë patrullues.
Të njëjtit më vonë me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë arrestuar dhe ndaj të njëjtave është caktuar masa e ndalimit 48-orësh, ndërsa hetimet po zhvillohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
IPK ka njoftuar se janë duke u shqyrtuar incizimet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e të pranishmëve për të sqaruar rrethanat e vdekjes.
Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë ngritur dyshime për përdorim të tepruar force nga ana e policisë. Vëllai i të ndjerit, Alban Zejnullahu, ka deklaruar për media se “dora e shtetit na e ka vra”, duke kërkuar drejtësi dhe hetim të plotë të rastit.
“Kishte shenja në fytyrë sikur të kishte rrahje masive, në trup….”, shtoi ai.
Sipas tij, për vdekjen e vëllait dëgjuan versione si “infarkt e nga ndikimi i alkoolit…”, por ai thotë se “shihet qartë se është vrarë nga dora e shtetit, nga disa policë…”.
Kurse njëra nga mjeket e emergjencës, që intervenoi në vendin e ngjarjes, ka rrëfyer për mediat detaje tronditëse.
“Mbrëmë e kemi pasë një thirrje nga stacioni policor, ora ka qenë 12 pas mesnate. Na thanë se janë disa persona të dehur. Kur arritëm, e pamë që njëri prej tyre ishte pa shenja jete, i shtrirë afër një polici. Ishte ende i prangosur. Kërkuam që t’i hiqen prangat sepse ishte pa ndjenja, por ndihma e parë nuk pati sukses. Njoftuam policinë që duhet të lajmërohet forenzika,” tha ajo.
Sipas saj, stafi mjekësor nuk ishte njoftuar se bëhej fjalë për një person në gjendje të rëndë apo pa shenja jete.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik. Pritet që raporti i autopsisë të hedhë dritë mbi shkaqet e vërteta të vdekjes së 27-vjeçarit