Zëvendëskryeministri i parë në detyrë Besnik Bislimi gjatë ditës së nesërme në ora 09:30 duhet të paraqitet në Prokurorinë Speciale të Kosovës për intervistim, për rastin e Fabrikës së mbetjeve shtazore, shkruan KFVA.
Historinë me ftesa në Prokurorinë Speciale, e ka edhe shefi i Bislimit, Albin Kurti.
Ky i fundit e ka refuzuar katër herë ftesën e Speciales për t’u parqitur në cilësinë e dëshmitarit për rastin e rezervave shtetërore.
Ndërsa dy herë edhe është gjobitur nga Gjykata për mos-paraqitje, me nga 250 euro gjobë.
Se a do të ndjekë të njejtën rrugë edhe Bislimi si shefi i tij mbetet të shihet nesër.
Si u zbulua skandali i fabrikës me mbetjet shtazore?
Gazeta kishte raportuar se fabrika për përpunimin e mbetjeve shtazore, që i ka kushtuar Kosovës mbi 8 milionë euro, e që nuk ka punuar asnjë ditë, i është dhënë për shfrytëzim në mënyrë të dyshimtë një operatori ekonomik. Asetet milionëshe, pajisjet përcjellëse, kamionët, prona dhe makineria iu dhanë një kompanie ekonomike vetëm 5 ditë pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë shpalli tenderin – duke ngritur dyshime për një skemë korruptive, favorizimi dhe interesi.
Pas këtyre hulumtimeve Prokuroria Speciale e Kosovës kishte nisur hetimet mbi Kontratën për Fabrikën e mbetjeve shtazore.
Më 27.05.2025 ishin kryer bastisje në katër lokacione të ndryshme – duke përfshirë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Kujtojmë se Prokuroria Speciale kishte intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për këtë rast edhe edhe ministrin e Bujqësisë Faton Peci./KFVA/
