• Sun. Oct 12th, 2025

Prokurorët reagojnë ndaj deklaratave të Donika Gërvalles: Respektoni ndarjen e pushteteve, mos ndërhyni në drejtësi

Bykfvanews

May 28, 2025

 

 

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka reaguar me shqetësim ndaj deklaratave të fundit publike të përfaqësuesve të subjektit politik Guxo dhe disa zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, të cilët kanë komentuar veprimet e Prokurorisë Speciale lidhur me rastin e hetimit ndaj ministrit në detyrë, Faton Peci dhe intervistimit të tij.

Shoqata e konsideron të papranueshme gjuhën denigruese dhe akuzat publike të drejtuara ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, si dhe prokurorit të çështjes, Admir Shala.

“Prokurorët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ata të Prokurorisë Speciale, veprojnë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe provat që rezultojnë nga hetimet. Akuzat politike, tentativat për diskreditim personal dhe përmendja e përkatësive të mëhershme partiake, nuk mund dhe nuk guxojnë të përdoren si mjet për të ndikuar në vendimmarrjen apo integritetin e prokurorëve”, thuhet në reagim.

Shoqata u ka bërë thirrje të gjithë akterëve publikë që të respektojnë pavarësinë institucionale të sistemit prokurorial dhe të përmbahen nga çdo deklaratë që mund të interpretohet si presion i drejtpërdrejtë ose i tërthortë ndaj punës së prokurorëve.

“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës do të vazhdojë të jetë garantuese e pavarësisë së secilit prokuror në Republikën e Kosovës, duke mbështetur ata që veprojnë me integritet, profesionalizëm dhe në interes të zbatimit të drejtë të ligjit, pa frikë dhe pa favor”, përfundon reagimi.

Kujtojmë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kishte reaguar me tone të ashpra pas aksionit të Prokurorisë Speciale që përfshiu ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci.

Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla e cilësoi ndërhyrjen si një “inskenim të gërditshëm” të udhëhequr nga prokurori Blerim Isufaj. Ajo e mbrojti fuqishëm ministrin Peci, të cilin e quajti “ministrin më shembullor të këtij mandati”.

Sipas saj, veprimi i Prokurorisë nuk është asgjë më shumë se një “hakmarrje e shëmtuar” ndaj angazhimit të ministrit Peci në luftën kundër korrupsionit.

“Kur pikërisht ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë shtetin ligjor dhe qytetarët e Republikës nga krimi i keqpërdorin organet e drejtësisë për hakmarrje dhe për të njollosur figurat e suksesshme dhe të pastra politike, atëherë asgjë më nuk duhet të na habisë,” kishte shkruar Gërvalla./KFVA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *