Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar personin i cili dyshohet se kishte sulmuar gjinekologun Afrim Veliu në Prishtinë. I njëjti po ashtu dyshohet se kishte hedhur edhe një grantë dore në ordinancën e mjekut.
Arrestimi i të dyshuarit ka ndodhur ditën e martë, transmeton KFVA.
“Njësia e hetimeve të përgjithshme e rajonit të Prishtinës, dje ka realizuar me sukses arrestimin e një personi të dyshuar lidhur me dy raste të ndara që rrezikuan sigurinë publike në lagjen Ulpiana, Prishtinë. Më 20.05.2025, një qytetar u sulmua fizikisht nga një person i panjohur përballë ordinancës së tij, duke pësuar lëndime të lehta trupore. Katër ditë më vonë, më 24.05.2025, në hyrje të së njëjtës ordinancë, u gjet një granatë dore F-1 pa mekanizëm ndezës, e cila u largua në mënyrë të sigurt nga Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplodues (NJTME)”, ka njoftuar policia.
Policia thekson se pas hetimeve të thelluara, të martën, në Fushë Kosovë është identifikuar dhe arrestuar njëri nga të dyshuarit.
Gjatë bastisjes në adresën ku qëndronte me qira, janë sekuestruar prova relevante.
Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprat penale “Kanosja” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
“Hetimet janë duke vazhduar në koordinim të ngushtë me Prokurorinë, me qëllim të identifikimit të personave tjerë të përfshirë dhe zbardhjes së plotë të rastit. Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe vigjilencën, dhe riafirmon përkushtimin e saj për garantimin e sigurisë publike, parandalimin e rreziqeve dhe zbulimin e çdo vepre penale që cenon rendin dhe qetësinë publike”, vijon njoftimi.
Ndryshe, Veliu ishte sulmuar para disa ditësh derisa ishte duke hyrë në veturë, ai ishte goditur me një mjet metalik