Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka kritikuar kërcënimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifës 50 për qind ndaj mallrave të Bashkimit Evropian. Ai ka thënë se një vendim i tillë do ta dëmtonte Evropën, por edhe SHBA-në.
Trump gjatë ditës ka kërcënuar të vendosë tarifa doganore prej 50% ndaj Bashkimit Evropian duke filluar nga muaji tjetër, duke deklaruar se bisedimet tregtare me Brukselin “po shkojnë askund”.
Komentet u bënë përmes platformës së tij Truth Social dhe shënojnë një përshkallëzim të ri të konfliktit tregtar mes Uashingtonit dhe BE-së, që Trump e ka akuzuar më parë si një strukturë të krijuar për të “shfrytëzuar SHBA-në”.
Ndërkohë që SHBA ka arritur marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar dhe Kinën për të zbutur ndikimin e luftës tregtare, kërcënimi i fundit ndaj BE-së rrezikon të sjellë masa hakmarrëse nga Brukseli.
