• Fri. Nov 21st, 2025

Ftohtësi ballkanike: Kurti me buzë të ngrira, nuk i lëshon as ‘urimin protokollar’ Ramës!

May 21, 2025

 

 

As pas një jave prej kur Edi Rama e shpalli fitoren historike, ai nuk mori urime nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Kjo tregon se marrëdhënia mes tyre po vazhdon të jetë e ftohtë…. dhe ende më të akullt e bën mundësia që Kurti është ende ‘i hatruar’ prej ditës kur kishte dështuar mbledhja mes dy qeverive, që ishte pas planifikuar të mbahej në Gjakovë në vitin 2023, shkruan KFVA.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti që viteve të fundit ishte përzier vazhdimisht në zgjedhjet që mbaheshin në rajon, këtë javë nuk gjeti kohë kurrsesi të shkruaj një rresht për rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Ai në profilin e tij në Facebook, ka njoftuar për disa aktivitete që ka zhvilluar në disa komuna të Kosovës, ndërkohë që ka mbajtur edhe dy takime: një me Presidentin e Këshillit Evropian të Bashkimit Evropian, António Costan dhe tjetrin me ish-kryeministrin grek, George Papandreou.

Përveç zgjedhjeve, Kurti ka hezituar të flas edhe për Samitin e Komitetit Politik Evropian që u mbajt në Tiranë, në të cilin morën pjesë liderë të vendeve evropiane.

Kujtojmë se në ditën kur në Tiranë zbriti Evropa, Kurti mori kritika nga ndërkombëtarët për veprimet e fundit në veri dhe për zhagitjen e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Nga BE, janë shprehur të shqetësuar me operacionet kundër kompanisë Vodovod Ibar në Mitrovicën e Veriut dhe kompanisë së shërbimeve publike në Zubin Potok, të cilat ofrojnë shërbime bazike për komunitetet që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, duke theksuar se veprimet e njëanshme dhe ato të pakoordinuara dëmtojnë përpjekjet për ndërtim të besimit ndërmjet komuniteteve.

“Si Kosova, ashtu edhe Serbia, u bëhen thirrje të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit, si dhe të marrëveshjeve të tjera të arritura në kuadër të këtij dialogu, pa vonesa apo parakushte të mëtejshme. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor për rrugën evropiane të të dyja palëve”, thuhet mes tjerash nëreagimin e BE.

Ndërsa, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, kur u pyet se cila është zgjidhja që të dilet nga ngërçi politik, ai e ndërlidhi situatën me një lojë futbolli.

“Edhe në një lojë futbolli, nëse dështon, duhet të ndërrohet lojtari”, u shpreh shkurt Rohde, duke iu referuar dështimit të Albulena Haxhiut për të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare./