• Fri. Nov 21st, 2025

Stërvitje e përbashkët në Film City – njësitet mjekësore të 4 ushtrive testojnë gatishmërinë në Prishtinë!

May 18, 2025

 

 

Në selinë e misionit të KFOR-it në Kampin Film City në Prishtinë, është zhvilluar një trajnim i përbashkët për evakuim mjekësor ajror, i cili ka përfshirë njësitë mjekësore të katër ushtrive: të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hungarisë, Gjermanisë dhe Zvicrës.

Sipas njoftimit të KFOR-it, trajnimet janë zhvilluar në kushte sa më reale dhe kanë përfshirë procesin e ngarkimit dhe shkarkimit të të lënduarve gjatë operacioneve ajrore.

Ky trajnim ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe sigurimin që të gjitha shtetet pjesëmarrëse në KFOR të jenë të gatshme të reagojnë në mënyrë të standardizuar dhe efikase në rast të ndonjë krize mjekësore.

KFOR ka ritheksuar se vijon zbatimin e mandatit të saj për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Gjithashtu, theksohet se KFOR-i vazhdon të punojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në kuadër të përgjegjësive të tyre si institucione të sigurisë./KFVA/