• Fri. Nov 21st, 2025

Dhimbje dhe shpresa në Prizren – Pas aksidentit tragjik në Pouskë, njëri i liruar, tjetri lufton për jetën në QKUK

May 18, 2025

 

 

Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë të diel në fshatin Pouskë të Prizrenit, ku një 19-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa dy persona të tjerë, një 25-vjeçar dhe një 27-vjeçar, kanë pësuar lëndime.

Njëri prej të lënduarve, pas trajtimit, është liruar për në shtëpi, ndërsa tjetri është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm për shkak të lëndimeve të rënda.

Shefi i Emergjencës së Prizrenit, Hekuran Veçgishti tha:
“Kanë ardhur dy të lënduar, njëri prej tyre është liruar në shtëpi, tjetri për shkak të lëndimeve më të mëdha që i ka pasur është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejmë.”

Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, deklaroi:
“Sot me datë 18.05.2025 rreth orës 04:19 policia ka marrë informatë për një aksident në fshatin Pouskë. Në automjet kanë qenë tre persona, dy nga ta meshkuj dhe një femër. Personi i gjinisë femërore si pasojë e lëndimeve të rënda ka vdekur, ndërsa dy të tjerët njëri ka pësuar lëndime të rënda, e tjetri lëndime të lehta trupore.”

“Ne vendngjarje kanë dalë ekipet e njësisë së trafikut rajonal, emergjenca, zjarrfikësit, hetuesit dhe prokurori kujdestar,” tha Bytyqi.