Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme nga deputetët në asnjë prej 16 seancave të mbajtura deri më tani.
Subjektet politike, PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.
Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.
Politologu Melazim Koci ka analizuar për Telegrafin situatën e krijuar politike, dhe ka konstatuar se problemi qëndron te partia LVV, e cila nuk i ka numrat për formimin e Qeverisë.
“Është situatë pakës e çuditshme, ndonëse lehtë e e e shpjegueshme e lexueshme. Kemi të bëjmë thjesht me një lojë që janë duke e bërë të dy palët edhe pushteti ose qeveria në detyrë
edhe ish-opozita për një fakt shumë të thjeshtë, për faktin që nuk i kanë nuk e kanë shumicën as njëra as tjetra. Dhe kam përshtypje se në mungesë të numrave, ndoshta dhe nuk dinë si të veprojnë. Dhe thjesht blejnë kohë për të parë nëse ata numra mund t’i sigurojnë”, ka pohuar ai.
Gjithë këtë situatë Koci e quajti absurde.
“Sepse është e pakuptueshme pse nuk votohet nga opozita Albulena Haxhiu. Kandidatja për kryetare të Parlamentit duhet të jetë e Vetëvendosjes, nuk ka ndonjë dallim, Haxhiu, Bogujevci, dikush tjetër nuk bënë ndonjë dallim. Pra, mendoj se opozita është duke gabuar që nuk e ka votuar zonjën Haxhiu, sepse thjesht do t’ia shkurtonte kohën e blerjes për formimin e qeverisë, domethënë sepse do të hynte në atë pesëmbëdhjetë ditëshin kur zotëri Kurti ose do të bënte numra për qeveri ose do të do të duhej t’ia dorëzonte mandatin opozitës”, shpjegoi ai.
Mes tjerash, Koci tha se “Nga ana tjetër është e habitshme edhe fakti që zotëri Kurti nuk e ndërron kandidatin, thjesht nëse ka numrat, përse për shkak të zonjës Haxhiu të rrezikohej formimi i Qeverisë, megjithatë po e them që është evidente që ai nuk i ka numrat”.
“Dhe në këto rrethana ne kemi një lojë absurditeti, një teatër absurdi ku sillen në një qark vicioz të dy palët dhe kam përshtypje, tani nuk dinë si të veprojnë, si të dalin nga kjo situate, nga propozimet konkrete ishin dy si mund ta nxjerrin Kosovën nga kriza? Ajo e zotit Kurti, Vetëvendosjes pra që ia dërgoi letrën për koalicion Lidhjes Demokratike, unë mendoj se është refuzuar për shkaqet e brendshme, ata nuk kanë unitet brenda vetë deputetëve të vet dhe ky ka qenë shkaku besoj i i refuzimit”.
“Dhe nga ana tjetër edhe oferta e Lidhjes Demokratike, për një qeveri gjithëpërfshirëse të tranzicionit, që nuk po pranohet lehtë në mesin e partive tjera. Këtë propozim të Lidhjes Demokratike e konsideroj se mund të jetë një nga zgjidhjet, meqë nuk ka zgjidhje më të mirë kjo do të ishte një zgjidhje më pak e keqe. Për faktin që asnjëra palë nuk i ka numrat dhe nuk do të mund t’i bëjë, për këtë jam i sigurt që asnjëra palë nuk do të mund t’i bëjë, mendoj se nuk zgjidhje ndoshta ajo që ju ka propozu LDK, me përfshirje të gjithëve”.
Koci theksoi tutje se nëse nuk ndodhë qeveria e tranzicionit, atëherë teket politike duhet të jenë të sinqertë të bëjnë një marrëveshje politike.
“Subjektet politike duhet të konstituojnë Parlamentin, të amendamentojnë Kushtetutën, nenin i cili nuk po lejon që zgjedhjet e kryetarit të Parlamentit të kalohet, do të thotë Kosovës i duhet amendamentimi i Kushtetutës, pra neni 67. Ku vetëm partia e parë mandatohet që të ketë kryetarin e Parlamentit, gjë që duhet të zgjedhë, sepse në zgjedhjet e ardhshme eventuale sërish mund të përsëritet. Dhe thjesht duhet të kërkohet që të bëhet një amendamentim, ku do të saktësohej sa kohë ka partia e parë ose grupimi i parë për të bërë qeverinë, dhe e dyta a i kalohet nëse mundësohet kalimi i partisë së dytë ose grupimit të dytë për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit”, ka pohuar ai.
Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, ka deklaruar se nuk pret që seanca e së shtunës të sjellë ndonjë rezultat.
“Tu i pas parasysh qëndrimet e mbajtura deri më tani të subjekteve politike, parlamentare, pavarësisht edhe të konsulatave që u mbajtën dje tek presidentja, duket që nuk ka me pas ndonjë
rezultat sa i përket ndryshimit të gjendjes drejt konsultimit të Kuvendit të Kosovës. Unë nuk po shoh ende ndonjë gatishmëri të partive politike parlamentare, respektivisht të grupit më të madh parlamentar, që të bëjë ndonjë hap, ose ndonjë përpjekja për konstituimin e Kuvendit, dhe si rrjedhojë gjasat janë shumë të mundshme dhe reale që edhe nesër seanca e Kuvendit të jetë një seancë e dështuar”, theksoi ai për Telegrafin.
Bugaqku thotë se me siguri do të vazhdohet me avazin e vjetër të caktimit të seancave çdo 48 orë.
Ai gjithashtu tha se duhet pritur edhe pak pasi presidentja ka nisur konsultimet me liderët politikë, dhe të shikohet nëse do të sjellin diçka këto konsultime.
“Pastaj duhet pritur edhe në javën tjetër, se si po shkojnë zhvillimet dhe mos eventualisht presidentja gjatë takimeve dhe konsultave që i mbanë me subjektet politike do të mund ta arrijë që të gjejë një mundësi ose të themi ashtu të krijojë një farë lloj konsensusi mes partive politike parlamentare që të zhbllokohet kjo situate. Por edhe nëse nuk ka zgjidhje të tillë, siç njoftoi edhe ajo vetë ekziston mundësia që ndoshta edhe komplet ky proces dhe kjo procedurë e mos konstituimit të Kuvendit ose kjo çështje e seancës që po bllokohet dhe po zvarritet vazhdimisht të interpretohet në Gjykatë Kushtetuese. Pra në njëfarë forme që të gjendet një zgjidhje ligjore, juridike për kapërcimin e kësaj gjendje”, nënvizoi ai.
Mes tjerash, ai ritheksoi se nuk mund të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare, pa u bërë konstituimi i Kuvendit.
“Duhet me u arrit një marrëveshje e përbashkët politikisht parlamentare e partive parlamentare që në suazat e zhbllokimit të zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, më pastaj në momentin që konstituohet Kuvendi, të hapet mundësia që me votat e 80 deputetëve në Parlament të shpërndahet Kuvendi dhe kështu ne shkojmë në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet ditëve”, vlerësoi ai duke shtuar se nuk ka gatishmëri nga subjektet politike për të shkuar në zgjedhje, por që po humbet kohë për të siguruar numra për formimin e Qeverisë.
“Unë mendoj që krejt kjo bllokadë po bëhet për faktin e e asaj që nuk qenë ende të sigurt numrat për formimin e Qeverisë, sepse çështja e kryetarit të Kuvendit, unë mendoj që shumë lehtë do të ishte e zgjidhshme kuptimin e asaj që nëse partia fituese e zgjedhjeve i ka të sigurta 61 vota për zgjedhje të Qeverisë, nuk i ka problem ta votojë kandidaten për kryeparlamentare”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, vazhdimi i seancës konstituive do të jetë të shtunë duke filluar nga ora 10:30./KFVA/
