• Fri. Nov 21st, 2025

LDK dorëzon në ZRrE kërkesën për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë

May 12, 2025

 

 

Lidhja Demokratke e Kosovës ka dorëzuar të hënën pranë ZRrE-së kërkesën për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, shkruan KFVA.

Gjithashtu, LDK-ja ka specifikuar edhe katër kërkesa të deputetëve të saj dhe të tjerëve që kanë nënshkruar.

“Anulimi ose shtyrja e vendimit për së paku një vit, për t’i dhënë kohë tregut të liberalizohet realisht dhe bizneseve të përgatiten, zbatimi i konsultimeve të hapura dhe publike, në përputhje me ligjin, për çdo vendim me ndikim të madh, përfshirë tarifat e energjisë, dorëzimi i analizës së plotë në Kuvend, menjëherë pas konstituimit të tij, së bashku me vendimin për liberalizim të tregut, anulimi i vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për ekonomitë familjare, me zotimin për të gjetur alternativa që nuk rëndojnë qytetarët”, kanë qenë kërkesat e tyre.

Në komunikatën e LDK-së thuhet se kjo kërkesë është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe të bizneseve në këtë kohë të ndjeshme.

Kjo nismë është nënshkruar nga 30 deputetë dhe është dorëzuar në ZRrE nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe anëtari i Kryesisë, Visar Azemi.

“Ky është vetëm një hap për të mbrojtur interesin e qytetarëve përballë një vendimi që do të ketë pasoja në vështirësimin e jetës së secilit qytetar e biznes në Kosovë. Do të ketë edhe veprime tjera sapo të themelohen institucionet e dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit që janë bllokuar nga Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë”, thuhet mes tjerash.