Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë dështuar, duke theksuar se pala amerikane është tërhequr pas shkeljes së marrëveshjes nga ana e Teheranit.
Duke folur në mbledhjen e kabinetit, ai ka treguar se ka zhvilluar një bisedë me zëvendëspresidentin amerikan, J. D. Vance, i cili e ka informuar për rrjedhën e negociatave dhe arsyet e ndërprerjes së tyre.
Sipas tij, marrëveshja parashihte ndalimin e veprimeve ushtarake nga Irani dhe hapjen e menjëhershme të ngushticave, por kjo nuk është zbatuar.
“Fola dje me Zëvendëspresidentin J.D. Vance. Ai më telefonoi nga avioni i tij i kthimit nga Islamabadi. Më raportoi në detaje, siç bëjnë njerëzit e kësaj administrate çdo ditë, për zhvillimin e negociatave. Në këtë rast, prishjen e negociatave. Prishja erdhi nga pala amerikane, e cila nuk mund ta toleronte shkeljen flagrante të marrëveshjes nga Irani për të hyrë në negociata. Marrëveshja ishte që ata të ndalonin së qëlluari dhe iranianët të hapnin menjëherë ngushticat. Ata nuk e bënë këtë. Amerikanët nuk mund ta pranonin. “Ai gjithashtu ma bëri të qartë se çështja kryesore në axhendën e Presidentit Trump dhe Shteteve të Bashkuara është heqja e të gjithë materialit të pasuruar dhe të sigurohet që të mos ketë më pasurim në vitet e ardhshme, dhe mund të duhen dekada, pa pasurim brenda Iranit. Sigurisht që është gjithashtu e rëndësishme për ne.”, u shpreh Netanyah.
Në të njëjtën kohë, Netanyahu ka theksuar se në agjendën e administratës së Donald Trump mbetet çështja e heqjes së materialit të pasuruar bërthamor nga Irani dhe ndalimi i pasurimit në të ardhmen, ndërsa ka bërë të ditur se Izraeli mbështet qasjen për vendosjen e një bllokade detare ndaj Iranit.
