Kosovë Lajme

Rekord i zi – Inflacioni në mars arrin në 6.7 për qind

Cmimet e konsumit janë rritur për 6.7 për qind marsin e këtij viti, krahasuar me marsin e vitit 2025.

Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) inflacioni mujor ka qenë 1.5 për qind.

Sipas ASK-së, kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (25,8%), perimet (3,7%), pemët (1,5%) dhe mishi (0,3%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,7 për qind në IHÇK-it.

Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te energjia elektrike (-3,7%) dhe lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (-2,2%) me një ndikim prej -0,2 për qind në IHÇK-it.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 6,7 % në muajin Mars 2026 krahasuar me muajin Mars 2025. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (42,5%), biletat e fluturimeve (38,4%), furnizimi me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (31,9%), energjia elektrike (17,4%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (17,4%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (15,6%), pushime të organizuara (13,2%), pemët (13,1%), mishi (12,4%), kafja, çaji dhe kakao (7,8%), shërbimet hoteliere (6,9%), prodhimet ushqimore (6,8%), sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat (5,7%), shërbimet ambulantore (5,6%), kujdesi personal (5,2%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (5,1%), perimet (4,9%), gjërat personale (4,4%), buka dhe drithërat (4,1%), duhani (4,1%), pijet alkoolike (3,9%), produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (3,9%), mobilje dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (3,8%), veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht (3,8%), mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit (3,4%), qumështi, djathi dhe vezët (3,4%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (2,7%), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (2,3%), veshje (2,2%) dhe ndryshimet e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve te disa nëngrupe me nje ndikim te vogel në IHÇK me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 6,7 për qind në IHÇK-it”, thuhet në komunikatën e ASK-së.