Kosovë Lajme Politikë

Asgjë konkrete për president të ri, Kurti jashtë vendit teksa afati kushtetues po shkon drejt fundit

Kreu i Qeverisës së Kosovës, Albin Kurti, i cili drejton Lëvizjen Vetëvendosje, po qëndron për një vizitë në Londër me ftesë të Qeverisë atje.

Ky udhëtim i Kurtit jashtë vendit vjen në një kohë kur kanë mbetur vetëm edhe dhjetë ditë nga afati i Gjykatës Kushtetuese që ka vënë në dispozicion për zgjedhjen e presidentit të ri.

Kurti pas vendimit të Kushtetueses që kishte vendosur afatin shtesë prej 34 ditësh, është takuar vetëm me kreun e LDK’së, Lumir Abdixhikun, por pas takimit nuk ka pasur ndonjë zhvillim konkret e as përmendje të ndonjë emri specifik për president të ri.

Të dy janë arsyetuar se duhet ta ruajnë konfidencialitetin e diskutimeve meqë takimi ka qenë “tete-a-tete”.

Ndërkohë një takim me kreun e PDK’së ende nuk ka ndodhur pasi që nga kjo parti po i kërkojnë Kurtit seriozitet dhe ftesë zyrtare në adresë të kryetarit Bedri Hamza. Pritet të shihet nëse Kurti do ta takojë Hamzën pas khimit nga Londra.

Në bazë të vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës ka afat deri me datën 20 prill për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse kjo nuk ndodh, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja dhe shpërndahet Kuvendi.

Aktualisht institucioni i Presidencës është duke u drejtuar nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu si ushtruese e detyrës, pasi me 4 prill i ka skaduar mandati presidentes Vjosa Osmani.