Një punonjës është arrestuar nën dyshimin për zjarrvënie pasi flakë gjigante shkatërruan një magazinë në Ontario, Kaliforni.
Zjarri shpërtheu gjatë natës dhe përfshiu një qendër shpërndarjeje të mbushur me produkte letre, si letra higjienike, duke u përhapur me shpejtësi të jashtëzakonshme.
Më shumë se 170 zjarrfikës u angazhuan për të vënë nën kontroll flakët, të cilat vazhduan për orë të tëra dhe shkaktuan shembjen e çatisë së ndërtesës.
Autoritetet identifikuan si të dyshuar një 29-vjeçar, i cili ishte punonjës i objektit.
Ai u arrestua dhe përballet me disa akuza të rënda për zjarrvënie.
Sipas hetimeve, zjarri u konsiderua i dyshimtë që në fillim për shkak të përhapjes së shpejtë dhe mundësisë së disa pikave ndezjeje.
I dyshuari ka postuar edhe video në rrjete sociale ku shihet duke ndezur zjarrin, duke përmendur pakënaqësi për pagën.
Fatmirësisht nuk pati viktima, por dëmet materiale janë të mëdha dhe shumë punonjës mbetën pa punë pas shkatërrimit të plotë të magazinës.
