Lajme Shqipëri

Rrëzohet interpelanca me Ramën, opozita dhe socialistët përplasen për ligjet e BE-së

Maxhoranca ngriti kartonët e kuq për një interpelancë të kërkuar nga opozita me kryeministrin Edi Rama dhe për futjen me procedurë të përshpejtuar të një projektligji që synonte zbutjen e efekteve nga rritja e çmimit të karburanteve.

“Jemi të gatshëm t’ju miratojmë edhe ju propozime. Po jo, jo me dhunë, as me forcë, as me gërdufje. Nëse doni që të vini t’ua miratojmë ne, e para është që duhet të vini të na i prezantoni, t’i negociojmë, t’i diskutojmë së bashku dhe hajde t’i miratojmë”, tha Balla.

Ky ishte qëndrimi i maxhorancës për kërkesat e opozitës, e cila ngriti shqetësimin për mungesë transparence për procesin e integrimit.

“Po sot ju “dashnorët” më të rinj të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, do t’ju jap një fakt që është fakti më domethënës, jo për ju, as për ne këtu, se ne këtu e dimë, për ata që na ndjekin. E kemi filluar këtë sesion, këtë legjislaturë, në fund të shtatorit, me vonesat që patëm deri në konstituimin. Edhe prej asaj dite ja ku e kemi listën e plotë të ligjeve të përafrimit të legjislacionit për përmbushjen e kritereve të parakushteve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Po i marr me radhë, janë 23 ligje. Në asnjërin prej tyre nuk gjendet asnjë votë pro e juaja. 23 ligje që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, në asnjërin prej tyre nuk gjendet një votë pro e Partisë Demokratike”, shtoi kryetari i Grupit Parlamentar të PS.

Klevis Balliu ngulmoi për zhvillimin e interpelancës me Kryeministrin Edi Rama.

Megjithatë, kryetari i Kuvendit i dha dritën jeshile miratimit të një mocioni me debat për integrimin.

Deputetët demokratë Hoti dhe Korreshi kërkuan interpelancë me ministren e shëndetësisë, ndërsa Tedi Blushi i Partisë së Lirisë me ministrin e bujqësisë.