Kosovë Kronikë Policore Lajme

Kapet i shumëkërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar për trafikim narkotikësh

Sot Policia e Kosovës, konkretisht Ekipi për Gjurmimin e Personave me Fletarrest Vendor dhe Ndërkombëtar njofton se ka realizuar një operacion të suksesshëm policor.

Gjatë këtij operacioni është ndaluar një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga shteti i Gjermanisë për vepra penale që ndërlidhen me trafikimin e narkotikëve, njofton policia.

I dyshuari është identifikuar dhe ndaluar në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

“Gjatë legjitimimit, i njëjti ka paraqitur dokumente identifikimi të huaja me të dhëna që dyshohet se i përkasin një personi tjetër. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent nga Departamenti për Krime të Rënda”, thuhet në njoftim.

Me vendim të prokurorit, ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit.

“Personi i arrestuar është dërguar në Qendrën e Ndalimit për procedura të mëtejme ligjore…Veprimet e mëtejme do të ndërmerren në koordinim me autoritetet kompetente vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.