Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se beson që stabilizimi i çmimit të naftës do të vazhdojë në ditët në vijim pas arritjes së marrëveshjes për armëpushim dy javor mes SHBA-së dhe Iranit.
Kusari-Lila tha se mekanizimi ekzistues për përcaktim e çmimeve maksimale të lejuara të derivateve të naftës, nuk do të lejojë të shkohet mbi normën e përcaktuar.
“Uroj që stabilizimi i çmimit të naftës dhe derivateve të vazhdojë ditëve në vijim, dhe kjo do të varet nga rrethanat në Lindjen e Mesme. Shumë e rëndësishme që ky mekanizëm i joni deri tani ka dhënë rezultatet e veta ndoshta jo në nivel 100%, ka pasur lëvizje të çmimeve, por gjithsesi që në situatën kur do të kemi qarkullim të lirë në Ngushticën e Hormuzit dhe mos ndikim të sasisë apo të çmimit në berzhën ndërkombëtare, atëherë edhe në Kosovë do të hiqet mekanizmi i përcaktimit me marzhë. Por duhet më shumë se sa një ditë që të përcaktohet saktë se a kemi kaluar në një situatë normale apo ende ka hapësirë për destabilitet“, tha ajo.
Ministrja e Tregtisë, Kusari-Lila, theksoi gjithashtu se në situatën aktuale po shikojnë mundësitë e ndërhyrjes te sektori i transportit dhe atij të bujqësisë.
“Ne konsiderojmë që aktualisht në situatën që jemi është siguruar që ka pasur mbarëvajtje sektori por edhe nuk ka shkuar në ekstrem çmimi përkundër lëvizjeve që kanë ndodhur në berzhat ndërkombëtare. Konsiderojmë që në situatën si e kemi, jemi duke e shikuar mundësinë e ndërhyrjes tek sektori i transportit dhe i bujqësisë si dy prej sektorëve që prekin kategoritë më të ndjeshme, ndërsa tek sektorët që ende e kanë mundësinë e operimit pa ndërprerje ajo mbetet të shihet për një rrethanë tjetër”, deklaroi ajo.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar në orët e para të së mërkurës me kohën e Kosovës se pajtohet me një armëpushim dyjavor të propozuar midis SHBA-së dhe Iranit nëse trafiku i anijeve lejohet të lëvizë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Izraeli ka njoftuar po ashtu se mbështet vendimin e Trumpit për të pezulluar sulmet ndaj Iranit, por ka shtuar se armëpushimi dyjavor “nuk përfshinë Libanin”.
Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm që nga njoftimi i armëpushimit, duke u tregtuar tani nën 100 dollarë për fuçi.
