Të martën u dëgjuan të shtëna me armë zjarri pranë ndërtesës ku ndodhet konsullata izraelite në Stamboll.
Konsullata ndodhet në lagjen Besiktas të Stambollit. Mbetet e paqartë në këtë kohë nëse konsullata ishte shënjestër gjatë incidentit.Konsullata ka qenë e mbyllur për të paktën dy vjet dhe ka të ngjarë të mos ketë personel, informoi një anëtar i komunitetit vendas për The Jerusalem Post
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Izraelit deklaroi se incidenti është nën hetim dhe konfirmoi se konsullata aktualisht nuk ka personel.
Tre persona u vranë dhe dy oficerë policie u plagosën në incident, thanë raportet e mediave.
Sipas televizionit turk NTV dhe atij në gjuhën turke të CNN, tre personat e vrarë ishin sulmuesit që u qëlluan nga forcat turke të sigurisë.
Pamjet video të para nga Reuters tregonin një oficer policie që nxirrte një armë dhe fshihej ndërsa dëgjoheshin të shtëna. Një person shihej i mbuluar me gjak.
Një prani e fortë e policisë së armatosur mbahet gjithmonë në zonën pranë konsullatës izraelite, vuri në dukje Reuters. Pamjet televizive treguan policë të armatosur që patrullonin në zonë pas të shtënave.
Ministri turk i Drejtësisë, Akin Gurlek, deklaroi se ka caktuar tre hetues për të hetuar incidentin, duke pranuar se ndodhi jashtë konsullatës izraelite, ndërsa nuk komentoi nëse incidenti ishte me natyrë antisemite apo antisioniste.
“Hetimi po kryhet me kujdes dhe në një mënyrë shumëplanëshe”, shkroi Gurlek në X/Twitter.
