Qeveria e Kosovës pritet të shqyrtojë sot projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg sot në mbledhjen e planifikuar për në orën 9:30.
Sipas agjendës, mbledhja pritet t’i ketë 16 pika. Ndër to është edhe ajo e çështjes së çmimeve në kohë kur tregu është jostabil. Një ligj i tillë në mandatin e shkuar, ai për çmimet tavan, ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në Kosovë ka nisur një valë e re inflacioni, qëkur më 28 shkurt si pasojë e sulmeve amerikano-izraelite mbi Iran nisi shtrenjtimi i naftës në nivel bote.
Për të ndikuar në uljen e çmimit të derivateve, partitë opozitare kanë rekomanduar uljen e akcizës ose të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Megjithatë, Qeveria ka refuzuar.
Sot pritet të mbahet edhe një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, pikërisht mbi këto kërkesa të opozitës.
Kjo është kërkuar nga LDK-ja, me mbështetjen edhe të deputetëve të partive të tjera opozitare, PDK dhe AAK.
Pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i një rezolute “për rritjen e çmimeve të naftës, mungesës së ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në koston e jetës, si dhe stabilitetin ekonomik të vendit”.
Seanca do të mbahet me fillim prej orës 11:00.
Shefja e deputetëve të LDK-ë, Jehona Lushaku Sadriu ka thënë se është urgjente ndërhyrja e ekzekutivit për rastin e rritjes së çmimeve.
“Lidhja Demokratike e Kosovës me përkrahje edhe të deputetëve të PDK-së dhe AAK-së ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për rritjen e çmimit të naftës. Nafta po shtrenjtohet çdo ditë. Çmimet po rriten. Derisa, qytetarët po varfërohen. E Qeveria? Spektatore. Kërkojmë veprime të menjëhershme. Transparencë. Masa konkrete. Qytetarët nuk janë bankomat i Qeverisë!” ka shkruar shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku.
Në rend dite në mbledhjen e Qeverisë janë edhe shqyrtimi i projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, ai për shtetësinë e Kosovës, ai për lëndët plasëse e ai për Maturën Shtetërore.
Po ashtu priten shqyrtime edhe të disa projektligjeve të tjera si dhe nisma për një marrëveshje për bashkëpunim ushtarako-financiar me Turqinë.
