Vetëm gjatë muajit janar 2026, komunave të Republikës së Kosovës u janë marrë mbi 31.6 milionë euro nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore, një goditje e drejtpërdrejtë ndaj financave lokale dhe funksionimit normal të pushtetit lokal. Kështu ka deklaruar Sazan Ibrahimi nga asociacioni i komunave.
“Kjo nuk është më çështje teknike por është krizë financiare e shkaktuar nga mungesa e veprimit të Qeverisë”, thotë ai.
Tutje ai ka rënditur komunat:
Shifrat janë alarmante dhe tregojnë qartë përmasat e këtij kolapsi:
• Prizreni mbi 12.3 milionë euro
• Ferizaj mbi 7.3 milionë euro
• Rahoveci mbi 2.8 milionë euro
• Vushtrria mbi 2 milionë euro
• edhe komuna si Prishtina, Deçani, Vitia, Gjakova po goditen rëndë
“Pra, vetëm dy komunat e para përbëjnë mbi 60% të totalit, një tregues i qartë i një sistemi të pabalancuar dhe të padrejtë.
Ky trend nuk është i rastësishëm por është rezultat i drejtpërdrejtë i:
• kontratave kolektive të nënshkruara pa mbulim financiar,
• vendimeve qendrore pa analizë të ndikimit në komuna,
• dhe mungesës totale të ndërhyrjes nga Qeveria për të ndalur këtë hemorragji financiare.
Nëse kjo vazhdon:
• investimet kapitale do të ndalen,
• shërbimet bazike do të rrezikohen,
• subvencionet për qytetarët do të zhduken,
• dhe komunat do të hyjnë në një kolaps të plotë financiar.
Komunat nuk mund dhe nuk duhet të mbajnë barrën e vendimeve të marra në nivel qendror.
Kjo është e papranueshme.
Në emër të komunave të Kosovës, kërkojmë:
• ndërhyrje urgjente të Qeverisë,
• zgjidhje të menjëhershme për mbulimin e obligimeve nga niveli qendror,
• dhe ndaljen e kësaj praktike që po e shkatërron financiarisht pushtetin lokal”.
