Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia është përplasur me deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajramit në një debat me njëri-tjetrin në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të premten.
Vitia i tha Bajramit se shumica e milionerëve janë formuar në periudhën e qeverisjes së Lidhjes Demokratike.
Akuzat e Vitisë erdhën pasi deputetja e opozitës kritikoi Ministrinë e Shëndetësisë për ndërhyrje në tregun e barnave në favor të bizneseve farmaceutike.
“Shumica e këtyre milionerëve, e këtyre kompanive, janë bërë në kohën e LDK-së dhe janë përkrahës të LDK-së, znj. Bajrami”, tha ministri Vitia.
“Asnjë nga këta milionerë siç thua ti, kompani farmaceutike, shiheni kur janë themeluar këto kompani! Shiheni!”, tha ai.
Bajrami ia përmendi Vitisë ish-zyrtarin e Ministrisë së Shëndetësisë që pastaj kishte kaluar te një kompani private e produkteve të barnave.
“Kur flisni me gjuhë të moderuar, mos mendoni që e fshihni krimin dhe korrupsionin që e keni bërë tash e gjashtë vjet. Ti ministër je ai që në grup punues e ke pasë njerin që ta ka hartuar listën esenciale të barnave, ma vonë është dalë te kompania që 80 milionë euro i fiton tenderë, e të cilit iu kanë fal dy milionë euro aksione”, tha Bajrami.
“Krejt nivelet i keni. Ju jeni shumë të dobët nëse mendoni që unë kam lidhje me dikënd e nuk e keni gjetë deri tash”.
