Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion thirri mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën ishte paraparë edhe raportimi nga Bordi i Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), lidhur me vendimin për tarifat e energjisë elektrike.
Por mbledhja e komisionit që u thirr për mëngjesin e së premtes, dështoi për shkak të mungesës së kuorumit, pasi në sallë nuk u paraqitën deputetët e LVV-së, raporton Klankosova.tv.
Anëtari i AAK-së, Besnik Tahiri, që ishte i pranishëm në mbledhje, tha se Bordi i ZRrE-së po i ik përgjegjësisë dhe theksoi se kjo e konfirmon se sa të ndikuar politikisht nga LVV-ja dhe Qeveria janë ata.
“Mospjesëmarrja dhe ikja nga përgjegjësia e Bordit të ZRrE-së, ma konfirmon ndikimin e plotë politik të LVV-së, të Qeverisë, mbi ta. Kryesuesja ma konfirmoi që ata janë këtu, por së pari kanë shkuar lart, por ata e kanë detyrën me qenë para nesh”, deklaroi Tahiri.
Ndërkaq Klan Kosova, nga burimet ka mësuar se anëtarët e Bordit të ZRrE-së kanë qenë brenda hapësirave të Kuvendit, por që të njëjtit kanë shkuar direkt në zyrën e Grupit Parlamentar të LVV-së në Kuvend.
Sipas Rregullores së punës së Kuvendit, anëtarët e Bordit të ZRrE-së duhet të presin në korridor para se të ftohen nga Komisioni.
Të njëjtit nuk janë paraqitur fare në mbledhjen e thirrur për raportim për çështjen e çmimit të rrymës dhe për çështjen e njehsorëve.
Zëvendëskryetarja e Komisionit, Janina Ymeri, tha se “ky mund të jetë fundi i pushtetit të Vetëvendosjes”.
“Megjithatë, kjo nuk e ndalon punën në taransparencë. Kam prova të mjaftueshme se hajnia në sektorin në energji është skandali më i madh që ka ndodhur ndonjëherë, madje-madje ka mbërri edhe në Ministri. Sado që mundohen t’i fshehin informatat, dikur do të dalin”, deklaroi deputetja e LDK-së.
Deputetët e PDK-së, Ferat Shala dhe Uran Ismaili, thanë se është shqetësuese se si nuk marrin pjesë deputetët e LVV-së.
Në këtë komision, sipas deputetëve, do të kuptohej më shumë rreth tarifave të reja.
