Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës tha se nuk e morën pagën e 13-të sikurse punonjësit tjerë publikë, duke e konsideruar këtë si pjesë e një “padrejtësie sistematike”.
Sindikata tha se minatorëve nuk iu është rritur paga që nga viti 2016 derisa potencoi punën e vështirë që bëjnë çdo ditë.
“Kjo nuk është më çështje pagash. Kjo është padrejtësi sistematike. Deputetët dhe ministrat kujdesen me përpikmëri për veten. Çdo vit rritje page. Pagë e 13-të. Vendime të shpejta kur është fjala për privilegjet e tyre. Shteti funksionon perfekt vetëm kur duhet të shpërblejë pushtetin. Ndërsa minatori është lënë jashtë çdo llogarie. Që nga viti 2016 pa asnjë rritje page. As pagë të 13-të. As trajtim të dinjitetshëm. Vetëm heshtje dhe harresë. Minatori zbret çdo ditë në nëntokë, aty ku rreziku është real, ku shëndeti shkatërrohet ngadalë, ku çdo ditë pune paguhet me jetë. Ndërkohë, mbi tokë, çmimet rriten, jeta shtrenjtohet, dhe askush nuk pyet për të. As trusti pensional nuk i paguhet. Dhe kur kërkon drejtësi, kur përballet me institucionet, ai nuk gjen mbështetje. Edhe gjykata i kthen shpinën. Padrejtësia vuloset me vendim”.
Sindikata tha se minatori del në pension i lodhur, i sëmurë, i dërmuar nga puna e rëndë dhe se në vend që të gjejë mbështetje, “ai përballet me një tjetër padrejtësi: nuk mund t’i marrë as kursimet e veta kur i duhen më së shumti”.
“Ky është turp shtetëror. Kjo është përbuzje e hapur ndaj punës, ndaj sakrificës, ndaj jetës së minatorit. Një shtet që shpërblen luksin e pushtetit dhe ndëshkon punën e ndershme nuk është i drejtë. Minatori sot nuk kërkon lëmoshë. Kërkon atë që i takon. Kërkon dinjitet. Kërkon drejtësi. Dhe ndërkohë që të gjithë të tjerët marrin pagën e 13-të, minatori vazhdon të presë. Jo sepse nuk e meriton, por sepse është lënë në harresë. Mjaft më. Kjo heshtje nuk është më durim. Është padrejtësi që po zgjat shumë. U bëjmë thirrje Ministrisë, Bordit Mbikëqyrës dhe menaxhmentit të njësisë biznesore që, pas një viti sakrifice, djersë dhe pune pa kushte, me vetëmohim të plotë, të shikojnë mundësinë e stimulimit para se ne të veprojmë. Durimi po soset”.
