Shtatë marrëveshje ndërkombëtare që ishin në rendin e ditës janë miratuar sot në Kuvendin e Kosovës, ndërsa katër të tjera nuk kanë marrë mbështetje për shkak të mungesës së kuorumit.
Në mesin e marrëveshjeve të miratuara janë projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për qasje në Arsimin e Lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor, si dhe disa marrëveshje financiare me Bashkimin Evropian në kuadër të programeve IPA 2017 dhe IPA 2018.
Po ashtu, deputetët kanë ratifikuar edhe marrëveshje kredie për projekte infrastrukturore dhe energjetike, përfshirë projektin e energjisë diellore fotovoltaike në KEK, efiçencën e energjisë në ndërtesa publike, projektin e rrugës me shpejtësi të lartë Prishtinë–Mitrovicë (kredi shtesë), si dhe ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë.
Ndërkohë, katër marrëveshje ndërkombëtare të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje nuk janë miratuar.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka marrë pjesë në votim, duke e pamundësuar kuorumin në Kuvend.
