Botë Lajme

Alarmohen tregjet: Çmimet e naftës ‘fluturojnë’ sërish

Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm të enjten, pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë sulmet ndaj Iran, pa dhënë një afat të qartë për përfundimin e konfliktit, transmeton KFVAgency.com

Kjo nxiti frikën e investitorëve për ndërprerje të mundshme të furnizimit global. Çmimi i Brent arriti në 108 dollarë për fuçi, duke shënuar një rritje prej 6.8%, ndërsa nafta amerikane WTI u rrit në 106.52 dollarë për fuçi, ose 6.4%. Këto lëvizje pasuan një rënie të lehtë të tregut para fjalimit televiziv të presidentit.

“Ne do ta përfundojmë punën, dhe do ta përfundojmë shumë shpejt. Jemi shumë afër,” tha Trump, duke shtuar se ushtria amerikane ka arritur pothuajse të gjitha objektivat, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Analistët paralajmërojnë se mungesa e një plani të qartë për armëpushim apo dialog diplomatik lë tregjet të pasigurta. “Nëse tensionet rriten ose rreziku detar shtohet, çmimi i naftës mund të shënojë nivele të reja”, tha Priyanka Sachdeva, analiste e lartë në Phillip Nova, raporton Reuters.

Ndërkohë, rreziqet për trafikun detar po rriten. Të mërkurën, një tanker nafte i kontraktuar nga QatarEnergy u godit nga një raketë iraniane në ujërat e Katarit. Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë paralajmëroi se ndërprerjet e furnizimit do të ndikojnë në ekonominë e Evropës që nga prilli.