Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se lehonat e kanë marrë pagën e 13-të pasi sipas tij, mbështetur në vendim, të punësuarat që kanë qenë në pushim të lehonisë gjatë 12 muajve të fundit, koha e kaluar në pushim të lehonisë u llogaritet si kohë e kaluar në punë me orar të plotë.
Murati ka shtuar se gratë të cilat nuk i kanë marrë mjetet, duhet të paraqesin ankesë te institucionet ku janë të punësuara. Kjo pasi sipas tij, mund të ketë ndodhur deklarim i gabuar dhe mund të mos figurojnë si të punësuara që janë në pushim të lehonisë.
“Të punësuarat që janë në pushim të lehonisë përgjatë periudhës u llogaritet sikur të kenë punuar me orar të plotë. Prandaj edhe u takon paga e 13-të. I inkurajojë që të paraqesin ankesë te institucionet ku janë të punësuara sepse shpesh varet se si është deklaruar nga institucioni. Nëse ka pasur deklarim të gabuar, nuk figuron si e punësuar që është në pushim të lehonisë edh mund të ketë ndodhur ndonjë gabim sa i përket trajtimit, por ajo mund të korrigjohet dhe patjetër në muajin e ardhshëm mund të reflektohet”, ka thënë ai.

Më 31 mars është ekzekutuar paga e 13-të për rreth 85 mijë punonjësit e sektorit publik në Kosovë.
Kjo pagë është ndarë me vendim të Qeverisë të hënën. Ajo është ndarë e plotë për punonjësit që kanë mbushur 12 muaj, ndërsa ata që kanë më pak se një vit punë marrin proporcionalisht një pjesë të pagës së 13-të.
Paga e 13-të për sektorin publik ishte premtuar nga kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe është përfshirë në buxhetin e vitit 2026.
