Subjekti privat shëndetësor “Teuta’s Beauty and Spa Center”, me themeluese Dr. Teuta Tunuzliu, ka qenë cak i hetimeve nga Inspektorati Shëndetësor dhe organet e rendit.
Në rrjetet sociale dhe në promovime, ky subjekt privat shëndetësor prezantohet me emrin “Teute Advanced Aesthetics”, ku edhe jepen sqarime për profesionin e Teuta Tunuzliut, për të cilën thuhet se është farmaciste dhe specialiste e kozmetologjisë.

Sipas raportit të inspektimit, gjatë inspektimit të kryer nga inspektorët shëndetësorë në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, “Teuta’s Beauty and Spa Center” nuk ka prezantuar licencën e institucionit, me arsyetimin se nuk ka aplikuar pasi që nuk e posedojnë qasjen për persona me aftësi të kufizuara. Pra, ky subjekt privat shëndetësor i themeluar nga Dr. Teuta Tunuzliu është zbuluar duke punuar pa licencë.
Në raport bëhet e ditur se në hapësirat e “Teuta’s Beauty and Spa Center” janë gjetur aparate dhe produkte mjekësore injektabile, si: fillerë dermalë, adrenalinë, desloratadinë dhe lidokainë.
Inspektorët në raport kanë theksuar se nga themeluesja Teuta Tunuzliu u është thënë se shërbimet shëndetësore në “Teuta’s Beauty and Spa Center” ofrohen nga Dr. Ylber Zejnullahu dhe Dr. Allma Kocinaj.
Po ashtu, në raport thuhet se në fund të inspektimit, Inspektorati Shëndetësor, me procesverbal me nr. 0013953, ndaloi ofrimin e shërbimeve shëndetësore nga subjekti privat shëndetësor “Teuta’s Beauty and Spa Center Sh.p.k.”, që operonte në rr. Luan Haradinaj në Prishtinë.
Për shkak të këtyre të gjeturave, Inspektorati Shëndetësor, me vendimin 05-63, ka gjobitur “Teuta’s Beauty and Spa Center” me 4 mijë euro.
Në një përgjigje të marrë nga Ministria e Shëndetësisë për këtë rast më 5 mars, thuhet se ky institucion privat shëndetësor ka paguar gjobën, por nuk është i licencuar.
