Kosova dhe Turqia do të përballen në një duel vendimtar, që konsiderohet ndër më të rëndësishmit në vitet e fundit, në finalen e “play-off”-it për një vend në Kupën e Botës 2026.
Ndeshja do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 20:45, ku pritet një atmosferë elektrizuese me mbështetje të fuqishme nga tifozët vendas për “Dardanët”.
Për Kosovën, kjo përballje paraqet një shans të artë për të shkruar histori dhe për të siguruar kualifikimin e parë në një Kampionat Botëror.
Pak orë para ndeshjes vendimtare, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur në një intervistë për Top Channel Albania, duke theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme të kësaj përballjeje për futbollin kosovar dhe vendin në përgjithësi.
Ai e cilësoi këtë si një nga ditët më të rëndësishme për futbollin në vend, duke e lidhur me momentet historike të pranimit në organizatat ndërkombëtare.
“Për futbollin është dita më e rëndësishme pas pranimit në UEFA dhe FIFA dhe normalisht edhe për Kosovën në përgjithësi, sepse të arrish këtu është sukses. Por gjithsesi, ju po e shihni vetë se çfarë ndikimi ka futbolli dhe kjo ditë”, tha fillimisht presidenti i FFK-së.
Ademi gjithashtu shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite në zhvillimin e futbollit, duke vlerësuar në veçanti punën e futbollistëve dhe stafit teknik.
“Unë jam shumë i lumtur që kemi arritur deri këtu dhe i falënderoj të gjithë ata që kanë punuar paraprakisht para meje për futbollin, si dhe të gjithë të tjerët, sidomos gjatë kësaj periudhe, veçanërisht futbollistët, të cilët bashkë me stafin teknik kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”.
Në vijim, ai theksoi rëndësinë e përkushtimit dhe sakrificës në sport, duke nënvizuar edhe rolin e brezit të ri në arritjet e deritanishme.
“Uroj edhe sot që ta kalojmë këtë hap që e kemi, sepse normalisht është sukses. Te sporti është punë e vërtetë, është punë me djersë dhe sakrifica të mëdha, dhe me fisnikërinë e popullit. Kemi edhe rininë jashtëzakonisht të mirë dhe e dinë rëndësinë e çdo ndeshjeje, që përveç arritjes së tyre për t’u ngritur në nivel tjetër, të gjithë futbollistët dhe të arrijnë majat, sigurisht që kjo pjesa me kombëtaren dhe shtetin është e veçantë edhe për ta”.
Në fund, Ademi vuri në pah kontributin e madh të diasporës dhe rolin e familjeve në ruajtjen e ndjenjës patriotike te brezat e rinj.
“Ne e kemi ngritur këtë dashuri ndaj shtetit përmes sportit dhe sigurisht këtu kemi edhe sportistë të diasporës, të cilët janë në mërgatë, dhe gjithmonë do ta them që kjo është një meritë e prindërve të tyre, të cilët Kosovën e duan me shpirt, sepse kanë ikur nga Kosova për forma të ndryshme. Por jam shumë i lumtur që fëmijët e tyre i kanë rritur në frymë patriotike dhe këta djem po e bëjnë Kosovën krenare”.
Duke folur për kundërshtarin dhe natyrën e ndeshjeve kualifikuese, ai theksoi se përkushtimi maksimal do të jetë vendimtar deri në fund.
“Po, është ekip i mirë dhe i fortë, ka individë të fortë, por këto ndeshje kualifikuese nuk i dihet se si shkojnë dhe jo gjithherë fiton më i miri. Pra, përkushtimi është deri në fund. Lojtarët tanë e kanë mendjen aty ku duhet dhe e dinë punën e tyre se si do të veprojnë sot, e dinë rëndësinë e ndeshjes dhe sigurisht duan ta prekin Botërorin, sepse është për Kosovën dhe Kosovës i duhet kjo”, përfundoi Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
