Pas masave të ftohta që depërtuan të premten, duke sjellë edhe reshje bore në zona të ulëta, respektivisht në pjesë të Rrafshit të Kosovës, edhe këtë javë moti do të mbetet nën ndikimin e masave më të ftohta ajrore dhe atyre të paqëndrueshme.
Si rrjedhojë, moti sot u karakterizua kryesisht i vranët dhe me riga të izoluara shiu në disa lokalitete, ndërsa në këto momente ka filluar të intensifikohen vende-vende.
Të martën, në ndërkohë, si pasojë e masave të ftohta, të cilat janë më të fuqizuara nga Evropa Jugperëndimore deri në Afrikën Veriore, pritet të formohet një ciklon në Detin Tiren në orët e mëngjesit, i cili do të lëvizë gradualisht drejt rajonit tonë.
Tek ne, moti do të vazhdojë kryesisht i vranët dhe me reshje të izoluara shiu, ndërsa krejt vonë në mbrëmje dhe gjatë natës pritet intensifikim i reshjeve në pjesën më të madhe të vendit.
Të mërkurën, pas reshjeve gjatë orëve të para të 24-orëshit, në pjesën e parë të ditës parashihet mot kryesisht i vranët dhe me reshje të izoluara shiu, ndërsa gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes pritet fuqizim i reshjeve në pjesën më të madhe të vendit. Nuk përjashtohet mundësia që të shfaqen fjolla bore edhe në ultësira në disa pjesë të Rrafshit të Kosovës, konkretisht në orët e mëngjesit.
Të enjten, cikloni do të arrijë në Greqi, ku pritet fuqizim i reshjeve dhe i erës me drejtim nga veriu. Njëkohësisht, edhe temperaturat do të pësojnë ulje. Përpos reshjeve të borës në zonat malore, ato mund të paraqiten edhe në zona të ulëta, sidomos në zonën e Llapit.
Të premten dhe të shtunën do të vazhdojë mot kryesisht i vranët dhe herë pas here me reshje lokale shiu.
Të dielën, pritet që masat e ftohta gradualisht të zbehen, megjithatë moti do të karakterizohet me vranësira të shpeshta dhe ndonjë reshje të izoluar shiu, ndërsa temperaturat do të shënojnë ngritje për të paktën 4–5°C në vlerat maksimale.
Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, e cila herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme lokalisht, konkretisht nga dita e martë deri të enjten, me shpejtësi prej 17–51 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 1 deri në 7°C, ndërsa ato maksimale prej 4 deri në 16°C.
