Kosovë Lajme Politikë

Pa përmendur emra, Gërvalla kritikon shifrat e pasakta në ekspozitë!

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar ndaj polemikave të fundit lidhur me ekspozitën e organizuar nga ish-këshilltari i kryeministrit, Shkëlzen Gashi.

Ekspozita në fjalë është kritikuar gjerësisht në publik për prezantimin e të dhënave të pasakta lidhur me krimet e luftës në Kosovë.

Gërvalla, duke mos e përmendur emrin e organizatori që bëri gabimin trashanik, ka bërë thirrje që shifrat për luftën të mos mbeten në dorë të nismave arbitrare, por të jenë produkt i institucioneve zyrtare dhe shkencore, në mënyrë që të mos dëmtohet e vërteta historike e Kosovës.

Ministrja ka deklaruar se saktësia e të dhënave është jetike përballë propagandës dhe klimës politike që tenton të krijojë paqartësi.

“Ekspozita e cila u përfol në publik gjatë këtyre ditëve, i ftoj të gjithë pa përjashtim se sa të nevojshme janë shifrat zyrtare dhe se shifrat zyrtare nuk mund të jenë arbitrare apo të shpikura por duhet të jenë të vërteta të sakta dhe për këto shifra të sakta nevojiten institucione të forta dhe prandaj qoftë themelimi i institutit qoftë puna e shtuar e prokurorive në luftimin, pra në dënimin e krimeve të luftës do të ndikojnë që të kemi të dhëna të sakta”, deklaroi Gërvalla.

Sipas Gërvallës, përdorimi i shifrave të pasakta nga individë të caktuar mund të shfrytëzohet për të krijuar “amulli” rreth asaj që ka ndodhur realisht gjatë luftës. Ajo kërkoi që i gjithë procesi i dokumentimit të përqendrohet te Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

“Pavarësisht nga klima politike dhe fakti që dikush dëshiron ta shfrytëzojë për të krijuar amulli rreth asaj se çka ka ndodhur në të vërtetë gjatë luftës në Kosovë, e rëndësishme është që të gjithë profesionistët e fushës, të bashkuar rreth Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ta kuptojnë drejt detyrën e tyre dhe ta pajisin opinionin shkencor, universitetet ndërkombëtare me shifra të sakta“, shtoi ajo.

Ministrja dha një paralajmërim të qartë se çdo pasaktësi, qoftë edhe e vogël, mund të ketë pasoja të rënda diplomatike për vendin.

“Me qëllim që kauza jonë e drejtë në raport me Serbinë të mos dëmtohet për shkak të pasaktësive të vogla apo të mëdha cilatdo qofshin ato”, u shpreh ajo.