Ekspozita ‘Masakrat në Kosovë’, e cila u hap më 24 mars në sheshet e Prishtinës, në kujtim të masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës, po del se është bërë me informata të pasakta e skandaloze, gjë që ka sjellë edhe reagime të shumta nga shoqëria civile e akterët politikë.
Autori i kësaj ekspozite, Shkëlzen Gashi, fillimisht doli me një sqarim duke thënë se të dhënat i ka marrë nga Natasha Kandiç, pasi shteti i Kosovës nuk ka të dhëna, gjë që u hodh poshtë më pas nga kjo e fundit
U kërkua edhe dorëheqja e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, meqë si projekt kjo u financua nga Kuvendi Kosovës.
Pas zërave të shumtë, mëngjesin e së dielës Shkëlzen Gashi e Kushtrim Koliqi reaguan duke kërkuar falje publikisht.
Sipas reagimit, shprehet shqetësim lidhur me ndikimin dhe reagimet e shkaktuara nga ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, dhe u kërkohet falje të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar.
“Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd”, thuhet në reagim.
