Botë Lajme

Nga Ajatollahu te nafta: Një muaj konflikti në Lindjen e Mesme!

Lufta me Iranin ka hyrë në muajin e saj të dytw, duke u shndërruar në një nga krizat më të mëdha gjeopolitike dhe energjetike të dekadave të fundit.

Konflikti nisi më 28 shkurt 2026, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën një seri sulmesh ajrore ndaj objekteve ushtarake dhe bërthamore në Iran. Në këto goditje u vra edhe lideri suprem iranian Ali Khamenei, një zhvillim që shënoi pikën e kthesës dhe përshkallëzoi menjëherë situatën.

Teherani reagoi me një valë sulmesh me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në rajon, duke e zgjeruar konfliktin në disa fronte, përfshirë Libanin dhe Gjirin Persik.  Një nga goditjet më të forta strategjike erdhi në det: Irani mbylli de facto Ngushticën e Hormuzit, arterien kryesore të tregtisë globale të energjisë. Trafiku i anijeve u ndal pothuajse plotësisht dhe u sulmuan cisterna nafte, duke shkaktuar një tronditje të madhe në tregjet ndërkombëtare.

Kjo bllokadë preku rreth 20% të furnizimit botëror me naftë dhe gaz, duke shkaktuar rritje të menjëhershme të çmimeve dhe frikë për një krizë globale energjetike. Ndërkohë, sulmet ajrore kanë vijuar në të dyja anët. Izraeli ka bombarduar objekte bërthamore, baza ushtarake dhe infrastrukturë strategjike në Iran, ndërsa Irani ka vijuar kundërpërgjigjen me raketa dhe përmes aleatëve të tij në rajon, si Hezbollah dhe Houthit.

Vrasjet e liderëve dhe komandantëve ushtarakë kanë qenë një element kyç i konfliktit, përfshirë eliminimin e komandantëve të Gardës Revolucionare që drejtonin operacionet në Hormuz, duke synuar dobësimin e zinxhirit komandues iranian.

Në terren, lufta është zgjeruar në një konflikt shumëfrontësh: përplasje në Liban me Hezbollahun, sulme në Detin e Kuq dhe tensione në Gjirin Persik. Pasojat ekonomike janë të rënda. Ekspertët e energjisë e kanë cilësuar situatën si “kombinim i disa krizave energjetike njëkohësisht”, ndërsa vendet në mbarë botën po përballen me rritje të çmimeve të karburanteve dhe rrezik për recesion.