Investigime Kosovë Lajme

Shpenzim pa kuptim: Ministria e Gashanit i vesh 5 persona deri në brekë…

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka paraparë të shpenzojë 4 mijë euro për furnizim me uniforma dhe këpucë formale për vetëm 5 zyrtarë të protokollit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e drejtuar nga ministri Blerim Gashani, ka hapur një aktivitet prokurimi për furnizim me uniforma dhe këpucë formale për personelin e protokollit shtetëror, me një vlerë të parashikuar prej 4,000 euro.

Sipas të dhënave të tenderit, kontrata parasheh furnizimin me veshmbathje formale të standardit të lartë cilësor për gjithsej 5 persona të angazhuar në protokoll, me qëllim sigurimin e paraqitjes dinjitoze dhe përfaqësimit institucional sipas etikës zyrtare.

Afati i fundit për pranimin e ofertave është caktuar data 02 prill 2026, ndërsa operatorët ekonomikë obligohen që në ditën e hapjes së ofertave, më 13:30, të dorëzojnë mostrat e veshjeve në Zyrën e Prokurimit nr. 21 në MKRS, sipas specifikave të përcaktuara në Aneksin 1.

Kontrata përfshin dy lloje të kompleteve për secilin përfitues: verore dhe dimërore.

Në paketën verore përfshihet një kostum formal (sakë dhe pantallona), dy këmisha klasike (një me mëngë të gjata dhe një me mëngë të shkurtra), një kravatë zyrtare dhe një palë këpucë formale prej lëkure. Ndërsa kompleti dimëror përfshin një kostum dimëror dhe një pallto klasike.

Sipas specifikave teknike, kostumet duhet të jenë nga përzierje leshi dhe poliesteri me cilësi premium (220-260 g/m²), me prerje klasike elegante dhe në ngjyra të zeza, blu të errët ose gri të errët. Këmishat duhet të jenë 100% pambuk, ndërsa qepja të jetë profesionale dhe e përshtatur sipas masave individuale të secilit person.

Për veshjet dimërore kërkohet material me përmbajtje leshi, i përshtatshëm për temperatura të ulëta, si dhe pallto elegante me gjatësi mbi gjunjë dhe rezistente ndaj të ftohtit.

Tenderi specifikon se të gjithë artikujt duhet të jenë të rinj dhe të papërdorur, ndërsa matjet për secilin përfitues do të realizohen individualisht pas nënshkrimit të kontratës. Gjithashtu, kërkohet që operatorët ekonomikë të paraqesin mostra të materialeve sipas kërkesave të autoritetit kontraktues.

Afati i dorëzimit të veshmbathjes është maksimumi 15 ditë nga nënshkrimi i kontratës, ndërsa për të gjitha produktet kërkohet garanci minimale prej 12 muajsh për defekte prodhimi.

Në kuadër të kontratës përfshihen edhe këpucët formale, të cilat duhet të jenë prej lëkure natyrale me cilësi premium, në ngjyrë të zezë ose kafe të errët, me model klasik (Oxford ose Derby), me shollë rezistente kundër rrëshqitjes dhe të përshtatshme për përdorim të zgjatur.

Dokumenti parasheh gjithashtu mundësinë e vendosjes së logos ose stemës institucionale në mënyrë diskrete, nëse kjo kërkohet nga autoriteti kontraktues.

Operatorët ekonomikë janë të obliguar të ofrojnë garanci për kompletet verore dhe dimërore për një periudhë prej të paktën 12 muajsh, duke përfshirë deklaratë të nënshkruar dhe të vulosur që përmban të gjitha detajet e aktivitetit të prokurimit.